Autoritetet mohojnë se ka epidemi “Variçele”
Instituti i Shëndetit Publik hedh poshtë spekulimet se Maqedonia....

Instituti i Shëndetit Publik hedh poshtë spekulimet se Maqedonia është në prag të shpalljes së epidemisë së virusit “Variçela”, të njohur si “Lija e dhenve”.
Autoritetet shëndetësore kategorikisht mohojnë këtë informatë, duke theksuar se numri i të sëmurëve nga “Lija e dhenve” është në kufijtë e normales dhe në asnjë periudhë të caktuar kohore gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit nuk është vërejtur rritje e menjëhershme e të sëmurëve për të shpallur epidemi.
“Mund të thuhet se ka epidemi atëherë kur numri i të sëmurëve është rritur dukshëm në një periudhë të caktuar kohore krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara. Vërtetë që në vitin 2016 është rritur numri i të sëmurëve nga “Variçela” në 10 mijë, por ky numër nuk është rritur në mënyrë të shpejtë, por është regjistruar me cikle, gjë që nuk mund të vlerësohet si epidemi në vend”,- deklaroi Gordana Kuzmanovska nga IShP.
Sipas të dhënave, prej fillimit të këtij viti janë regjistruar 270 raste të të sëmurëve nga “Variçela” në vend. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Shkupi, Kriva Pallanka dhe Prilepi. Autoritetet shëndetësore presin edhe një valë të të sëmurëve deri në pranverë, por jo në përmasa alarmante.
“Presim që gjatë muajve shkurt, mars dhe prill të kemi rritje të numrit të të sëmurëve nga “Variçela”, por kjo nuk do të tejkalojë numrin e të sëmurëve nga viti i kaluar”,- theksoi Gordana Kuzmanovska nga IShP.
“Variçela” është virus i cili manifestohet me paraqitjen e puçrrave në bark, kokë, duar dhe këmbë, dhe e njëjta për pak kohë transformohet me flluska uji. (Rexhep Qamili, TVM2)
