Kumanovë, reshjet e reja të borës me probleme të vjetra

19.01.2017 16:54

Reshjet e reja të borës gjatë natës së kaluar...

Reshjet e reja të borës gjatë natës së kaluar, trashësia e të cilës arrin në rreth 15 centimetra, ka shkaktuar probleme në komunën e Kumanovës po ashtu edhe në atë të Likovës. Edhe përkundër faktit se autoritetet lokale kanë intervenuar me kohë në pastrimin e rrugëve, megjithatë qytetarët shprehen të pakënaqur me atë çfarë është bërë.

“Si jo, të gjithëve po u shkakton probleme, si pleqve, grave, fëmijëve, por çka të bëjmë, sivjet kemi dimër më të ftohtë me më shumë borë. Nga ana e Komunës shpresojmë se ditëve të ardhshme do t’i pastrojnë rrugët, edhe pse deri sot nuk kanë ndërmarrë ndonjë iniciativë”,- tha një qytetar.

“Kemi plot njerëz që kanë thyer krahë e duar e këmbë, kanë shkuar nëpër spitale, por edhe atje nuk është gjendja si duhet. Me një fjalë çka është më keq”,- u shpreh një qytetar.

Prej fillimit të këtij viti, si pasojë e rrëshqitjes në borë e akull, mbi 100 kumanovarë kanë pësuar fraktura e lëndime të tjera trupore, për çka ndihmë kanë kërkuar në Spitalin e Kumanovës, kurse disa prej tyre për shkak të seriozitetit të lëndimeve janë dërguar në klinikat e Shkupit. (Nexhat Aqifi, TVM2)