VMRO-DPMNE: Prokuroria Publike Speciale, institucion i kotë, LSDM: Vetëm Gruevskit i pengon drejtësia
“Prokuroria Speciale Publike u bë institucion i kotë që në momentin që vendosi të shpëtojë...

“Prokuroria Speciale Publike u bë institucion i kotë që në momentin që vendosi të shpëtojë nga përgjegjësia gjyqësore dhe penale liderin e LSDM-së, Zoran Zaev”.
Ky është reagimi i Antonio Milloshovskit nga VMRO-DPMNE, pasi PPS solli vendimin për të tërhequr akuzën për lëndën “Puç”.
Milloshovski pohon se arsyeja kryesore dhe e parë për formimin dhe ekzistimin e PPS-së ka qenë të spastrojë kriminalitetin e Zaevit dhe Verushevskit.
“Me këtë vendim të Katica Janevës për faljen e Zaevit, merr fund edhe arsyeja kryesore për ekzistimin e PPS-së. Prandaj vlerësojmë se opinioni duhet të jetë i vetëdijshëm se PPS tani më është bërë një institucion i kotë”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Nuk ka vonuar me reagim edhe LSDM. Për socialdemokratët vetëm Nikolla Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij ju pengon drejtësia.
“Dështoi përpjekja e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, që për të shpëtuar vetveten gënjen qytetarët me furgona të verdhë, pajisje taktike, stacione bazë të klonuara",- thonë nga LSDM.
Social demokratët thonë se vendimi i djeshëm i PPS–së konfirmoi se Gruevski u kap duke u përpjekur të montojë ngjarjen politike të quajtur “Puç” dhe se ai dhe udhëheqja e VMRO-DPMNE-së ishin të vetmit që shqetësoheshin për PPS të pavarur. (Sanije Duraku, TVM2)
