Ahmeti takoi Zaevin, VMRO në qëndrimin e vjetër për kushtet e BDI-së
Pas një heshtjeje disaditore lidhur me formimin e qeverisë së re...

Pas një heshtjeje disaditore lidhur me formimin e qeverisë së re, liderët e partive politike kanë nisur takimet intensive midis tyre.
Vetëm një ditë pas takimit me Nikolla Gruevskin, Ali Ahmeti ka takuar edhe kreun e LSDM-së, Zoran Zaev.
Ndërkohë, Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE konfirmoi fillimin e negociatave për formimin e qeverisë së re.
Ai pohoi se bisedimet i kanë nisur me BDI-në, ndërsa tha se mbeten në qëndrimet e tyre të njohura për sa u përket kushteve që ka vendosur partia e Ahmetit. Megjithatë, sipas tij, ka kohë të bëhet shqyrtim serioz i të gjithë aspekteve të partnerëve të mundshëm të koalicionit.
“Takimi i djeshëm është me qëllim që pas marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë të ulemi dhe të negociojmë për formimin e shumicës në parlament dhe formimin e Qeverisë së re. Bisedimet do të vazhdojnë në periudhën e ardhshme, sapo të dy partitë pas bisedimeve të djeshme t’i miratojnë aspektet plotësuese në organet e tyre partiake. Pozicionet tona rreth këtyre çështjeve mbeten të pandryshuara. Edhe sot do të bisedojmë sërish në këtë temë, por nuk besoj që komiteti ekzekutiv do t’i ndryshojë qëndrimet që i ka miratuar”,- deklaroi Antonio Miloshoski nga VMRO-DPMNE.
BDI kërkon zbatimin e dygjuhësisë në të gjithë vendin, vazhdimin e mandatit të PPS-së dhe vazhdimin e procesit të eurointegrimeve. (Naim Ramadani, TVM2)
