Fëmijët më të entuziazmuar nga bora, të rriturit kërkojnë të pastrohen rrugët

19.01.2017 19:32

Bora e fundit dhe temperaturat e durueshme kanë entuziazmuar...

Bora e fundit dhe temperaturat e durueshme kanë entuziazmuar sidomos fëmijët që i shfrytëzojnë këto ditë për të luajtur.

Shtresa e re është e përshtatshme sidomos për luftë me topa bore, rrëshqitje me saja dhe ndërtimin e dordolecëve, që kanë mbirë pothuajse në çdo lagje të Shkupit.

“Rrëshqasim në akull, luajmë me topa bore me te mëdhenjtë, bëjmë dordolecë të mëdhenj”,- tha një fëmijë.

“Po, jam gëzuar shumë. Kam dalë me shokët, me vëllezërit kemi luajtur me topa bore, kemi bërë dordolecë, një te parku, një te banesa, aty te kopshti”,- u shpreh një fëmijë.

I tërë qyteti është i mbuluar me borë. Qytetarët shprehen se edhe pse e kanë të vështirë të qarkullojnë, ata përsëri duhet t’i kryejnë obligimet e tyre të përditshme.

“Për pleqtë është vështirë, për më të rinjtë jo edhe aq. Kështu borë ka rënë  kur unë kam qenë klasa e tetë, 35 vite më parë. Bora ka qenë gjysmë metër kur shkonim në shkollë”,- theksoi një qytetar. 

“Është pak e vështirë, por bora i ka tiparet e veta, është e hijshme, por është edhe e mirë për pastrimin e ajrit, tokës dhe është e mirëpritur gjithmonë këtu tek ne. Vetëm se qeveria dhe organet kompetente duhet të jenë më të kujdesshëm për pastrimin e rrugëve”,- deklaroi një qytetar. 

Bardhësia i ka dhënë një pamje që i kishte munguar një kohë të gjatë Shkupit. Qytetarët kërkojnë vetëm se të pastrohen rrugët për të pasur sa më të lehtë qarkullin e tyre, sepse ata kanë frikë edhe të dalin të shijojnë këtë peisazh, pasi mund të rrëzohen dhe të pësojnë lëndime. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)