Itali, ortek mbi hotel, 30 persona zhduken nën dëborë

19.01.2017 20:54

Lëkundjet e vazhdueshme të tokës në Italinë qendrore kanë rezultuar fatale....

Lëkundjet e vazhdueshme të tokës në Italinë qendrore kanë rezultuar fatale për personat që po qëndronin në hotelin “Rigopiano”, në rajonin e Abrucos.

Vërshimi i një orteku si pasojë e tërmeteve besohet të ketë shkaktuar një numër të madh viktimash në hotelin ku gjendeshin të paktën 30 persona.

Ekipet e shpëtimit luftuan me kushtet e këqija të motit përgjatë gjithë natës, për të mbërritur në zonën e katastrofës mëngjesin e së enjtes.

Sipas mediave italiane, nga hoteli i gllabëruar prej ortekut janë nxjerrë trupat e parë, ndërsa dy persona janë shpëtuar. Çatia e strukturës u shemb pjesërisht dhe banorët në Farindola sinjalizuan shërbimet e emergjencës. Por, stuhia e borës bllokoi rrugët, duke e bërë tejet të vështirë aksesin në zonë.

Një seri tërmetesh goditën Italinë qendrore të mërkurën, një zonë e shkatërruar nga lëkundjet vdekjeprurëse të tokës vitin e kaluar. Shërbimi gjeologjik raportoi se tre tërmete të forta me magnitudë 5.3, 5.7 dhe 5.6 ballë të shkallës Rihter u regjistruan brenda një ore me pasojë vdekjen e një personi dhe zhdukjen e një tjetri.

Gianluca Valsensise, një sizmolog në Institutin Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, paralajmëroi se rreziku për një tjetër lëkundje të fortë në zonë ishte i lartë.

Në total pati 10 tërmete të magnitudës mbi 4 ballë në një rreze prej 10 kilometrash rreth Amatriçes së shkatërruar nga lëkundjet e dhunshme të muajit gusht, ku gjetën vdekjen shumë persona. (Gazmend Kurtishi, TVM2)