Eurodeputeti Vajgl: Dënoj thirrjet për luftë në Ballkan
Eurodeputeti, Ivo Vajgl, i konsideron të dënueshme deklaratat luftëndjellëse në Ballkan....

Eurodeputeti, Ivo Vajgl, i konsideron të dënueshme deklaratat luftëndjellëse në Ballkan e thotë se liderët e rajonit duhet t’i lënë mënjanë të tilla retorika e të fokusohen në procesin e integrimit europian.
Ndonëse nuk përmendi emra, mesazhet e tij dukeshin qartë që i drejtoheshin edhe Serbisë.
“Deklaratat e disa liderëve janë shqetësuese dhe nuk mund të argumentohen me afrimin e fushatave zgjedhore, secila retorikë nacionaliste dhe nxitëse konfliktesh duhet dënuar fuqishëm nga gjithë liderët rajonalë dhe europianë. Në Ballkan nuk do ketë ndryshim të kufijve”,- theksoi Vajgl.
Provokimet serbe, të nisura me ngritjen e murit në Mitrovicë, arrestimin e Haradinajt, e së fundmi me dërgimin e trenit të mbushur me parulla nacionaliste drejt Kosovës, shumë i lidhin me shpresat e Beogradit për një ndryshim të politikave të Shtëpisë së Bardhë pas marrjes së presidencës amerikane nga Donald Trump.
