Botë
Tensionohet situata në Mariupol të Ukrainës
10.05.2014 16:05
Tensionet në Mariupol të Ukrainës mbeten të larta, një ditë pas përleshjeve vdekjeprurëse...

Tensionet në Mariupol të Ukrainës mbeten të larta, një ditë pas përleshjeve vdekjeprurëse midis forcave të sigurisë dhe militantëve pro-rusë.
Gazetarët në terren thonë se përleshjet kanë vazhduar edhe sot.
Shefi i policisë në Mariupol, Valeriy Androshchuk, raportohet të jetë rrahur dhe kidnapuar nga sulmues të panjohur.
Trupat ukrainase, më 9 maj, kanë nisur një operacion kundër rebelëve separatistë, që kanë uzurpuar selinë e policisë lokale.
Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov, ka thënë se 20 militantë janë vrarë në luftime, si dhe një polic. Perëndimi ka kritikuar presidentin rus, Vladimir Putin, pas vizitës që ka bërë në Krime, për herë të parë prejse gadishulli është aneksuar nga Moska.
Vizita e Putinit, të premten në Krime, ka përkuar me përkujtimin e fitores ndaj Gjermanisë naziste, në Luftën e Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se vizita ka qenë “provokuese”.
Edhe sipas Bashkimit Evropian dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ajo nuk është dashur të ndodhë.
