Itali, orteku godet hotelin, vijojnë kërkimet për 35 persona

20.01.2017 13:13

Në Itali pas tragjedisë vijojnë kërkimet e dëshpëruara në rrënojat e ortekut....

Në Itali pas tragjedisë vijojnë kërkimet e dëshpëruara në rrënojat e ortekut. Ekipet e shpëtimit në Itali kanë vijuar gjatë natës për nxjerrjen e rreth 30 personave të cilët ndodheshin në hotelin Rigopiano në Peskara, i cili u godit nga orteku i dëborës. Zëvendësministri i Brendshëm, Filipo Bubbico, tha se ende ka shpresë për të gjetur të mbijetuar.

“Në situata të tjera të ngjashme në të kaluarën ka ndodhur, edhe pse pas shumë orësh”,- u shpreh ministri Bubbico.

Deri tani tre trupa të pajetë janë nxjerrë nga rrënojat e hotelit, i cili u zu poshtë nga orteku në qendër të Italisë, ndërsa kërkimet dëshpëruese vazhdojnë për 35 persona të zhdukur.

Forcat e shpëtim-kërkimit thonë se nuk dëgjojnë asgjë poshtë rrënojave, por dhe qentë e kanë të pamundur të lokalizojnë viktimat. Dy persona kanë qenë jashtë hotelit në momentin kur ka rënë orteku.

Të paktën katër tërmete me magnitudë mbi 5 goditën qendrën e Italisë të mërkurën dhe mendohet se lëkundjet kanë shkaktuar edhe ortekun. Në hotel ishin regjistruar 42 turistë dhe shtatë pjesëtarë të stafit, dhe thuhet se ka pasur dhe fëmijë, por aktualisht numri që përflitet është 35.