ShBA, ceremonitë e përurimit të presidentit Trump

20.01.2017 13:37

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, premtoi se do të unifikojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës....

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, premtoi se do të unifikojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke folur nga shkallët e memorialit të Abraham Linkoln, ai tha se do të sjellë ndryshimin.

Pas një koncerti të enjten në mbrëmje, zoti Trump tha se ka pak rëndësi nëse moti do të jetë i bukur apo me shira të dendur, duke shtuar se gjithë bota po ndjek atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara.

Për ditën e inaugurimit parashikohet shi i lehtë me temperatura relativisht të buta për janarin. Disa minuta para një shfaqjeje me fishekzjarrë në qiellin e Uashingtonit, Trump premtoi të punojë intensivisht për të bashkuar vendin dhe “për ta bërë Amerikën të madhe për të gjithë”.

Sean Spicer, i cili do të jetë zëdhënësi i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë, tha se presidenti i zgjedhur po vazhdon t’i bëjë ndryshime fjalimit të përurimit, që do të mbajë të premten në shkallët e ndërtesës së Kongresit.

Fjalimi i Trampit, i cili pritet të ndodhë, cilësohet si një deklaratë filozofike, se ku presidenti synon ta çojë qeverinë amerikane dhe jo si një agjendë legjislative.