Turqi, deputetet kapin për flokësh njëra-tjetrën

20.01.2017 14:28

Dhjetëra gra deputete janë grindur ashpër me njëra-tjetrën në Parlamentin turk....

Dhjetëra gra deputete janë grindur ashpër me njëra-tjetrën në Parlamentin turk, duke dhuruar pamje të pazakonta.

Gjithçka filloi pasi një deputete prangosi veten duke u lidhur me mikrofonin e podiumit, në shenjë proteste ndaj ndryshimeve kushtetuese që i japin më shumë pushtet presidentit, Recep Tayyip Erdogan.

Deputetja e pavarur, përfaqësuese e elektoratit të Ankarasë, Aylin Nazliaka, me gjestin e saj shfaqi protestën kundër ndryshimeve kushtetuese që e kthejnë Turqinë nga një republikë parlamentare në republikë presidenciale.

Ajo refuzoi të largohej nga podiumi pavarësisht pushimeve të përsëritura të dhëna nga zëvendëskryetarja e Parlamentit.

Deputete nga partia në pushtet, AKP, dhe koleget e tyre opozitare u afruan tek podiumi, disa për ta hequr Nazliakan që aty, disa për ta mbrojtur. Në sallë u rrit tensioni dhe filloi grindja mes kolegeve deputete dhe gjithcka përfundoi me një zënkë ku ato kapën për flokësh njëra-tjetrën.

Ditë më parë, parlamenti turk është kthyer në “ring” përleshjesh mes deputetëve burra, teksa po diskutoheshin dhe votoheshin ndryshimet kushtetuese. (Gazmend Kurtishi, TVM2)