Maqedoni

Rrugët me akull, shtohet numri i pacientëve të lënduar në Shkup

20.01.2017 14:50

Kujdes kur kaloni në rrugët që kanë akull....

Kujdes kur kaloni në rrugët që kanë akull. Ngricat vazhdojnë të shtojnë numrin e pacientëve të lënduar nga rrëzimi në akull dhe borë.

Autoritetet shëndetësore të Spitalit “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup informojnë për TVM2 se vetëm gjatë kësaj jave kanë intervenuar në 220 pacientë  me lëndime në kokë, duar dhe këmbë.

Fluksi më i madh i tyre në këtë klinikë ka qenë të hënën, kur janë paraqitur 88 pacientë me fraktura të ndryshme. Qytetarët e lënduar thonë se duhet bërë shumë kujdes.

“Nuk guxoj të dal vet, sepse njëherë jam sprovuar keq. E tani dalëngadalë drejt në xhami do të shkoj. Njëherë moti jam rrëzuar keq në akull dhe këmbën e theva”,- deklaroi një qytetar.

“Para dy ditëve në kalanë e Shkupit u rrëzova, por për fat të mirë shpëtova, nuk u lëndova”,- theksoi një qytetar.

“Me vështirësi lëvizim nëpër rrugë, ja tani e kam marrë bastunin, se shumë keq është”,- tha një qytetar.

Edhe në Qendrën urgjente në Shkup ditëve të fundit regjistrohet rritje e pacientëve të lënduar dhe të hospitalizuar si pasojë e rrëshqitjeve.

Traumatologu, Ilir Hasani, thotë se më së shumti pësojnë pleqtë.

“Lëndimet e kurrizit dhe të kokës janë lëndime më të shpeshta në këtë periudhë të vitit. Më së shumti të ekspozuar të këtyre lëndimeve është mosha më e shtyrë, pleqtë, të cilët reflekset i kanë më të ngadalësuar. Prej rënieve dhe pre rrëshqitjeve shumë shpesh ndodh që të thyhen kërdhokulla, respektivisht frakturat  pertroantirike, të cilat i kemi në një numër shumë të madh në klinikën tonë”,- u shpreh kirurgu traumatolog, Ilir Hasani.

Edhe pse është paralajmëruar përmirësim i kohës, do të duhen disa ditë derisa dielli i dimrit të shkrijë tërësisht borën që autoritetet kompetente nuk po e pastrojnë.

Vlejnë ende apelet për kujdes të shtuar kur dilni në rrugë për të mbaruar punët e përditshme. (Rexhep Qamili, TVM2)