Maqedoni

Lagja e Gazibabës e papastruar nga bora, qytetarët ankohen për vështirësi në qarkullim, Qyteti i Shkupit: komunat dhe qytetarët të kryejnë obligimin e tyre

20.01.2017 15:10

Në qytetin e Shkupit shumë lagje kanë mbetur të papastruara...

Në qytetin e Shkupit shumë lagje kanë mbetur të papastruara. Rrugët dhe trotuaret në lagjen e Gazibabës janë të mbuluara me borë dhe ngrica, thonë qytetarët të cilët e kanë të vështirë të qarkullojnë në rrugë të papastruara.

Megjithatë, një pjesë e qytetarëve kanë mirëkuptim për autoritet, pasi thonë se bëhet fjalë për rrugë të ngushta ku nuk mund të qarkullojë makineria për pastrim.

“Siç  e shihni, kështu janë rrugët, nuk po vjen askush andej poshtë shkallët janë krejt akull. Nuk kemi çka të bëjmë. Rryma është  ndalë,  është  e dobësuar ka dy-tre net dhe nuk vjen askush të interesohet që ta lëshojnë”,- theksoi një qytetar.

“Siç po e shihni, katastrofë, nuk ke çka bën, sa thua se nuk ecet, as nuk hedhin krip, as nuk ndërmarrin masa... Shihet që në dimër jemi, duhet të marrin masa për ta pastruar edhe për atë njerëzit paguajnë taksa për këto ditë të vështira”,- theksoi një qytetar.  

“Nuk kanë dalë, edhe po të donon të hynin e të pastronin, nuk do të mundnin, nuk ka nga të hyhet. Nga “Higjiena komunale” hyjnë në lagjet tona, por me kamionë të vegjël”,- u shpreh një qytetar.

“Rrugët nuk janë të pastruara hiq kurrë, nuk kemi qenë më mirë, edhe më herët kështu kanë qenë. Por, është shumë vështirë jo vetëm për ne, por për të gjithë. Kjo gjendje nuk është e sotme, por as e djeshmit, kjo gjendje ka qenë edhe me herët, por kushtet e dimrit këto janë, nuk kemi dalë, ku të dalësh, akull me pastruar askush nuk pastron”,- tha një qytetar.                                                                                 

Nga ana tjetër, Qyteti i Shkupit njofton se shërbimet dimërore natën e kaluar kanë hedhur 60 tonelata kripë nëpër bulevarde dhe rrugët që janë në kompetencë të tyre dhe ato janë të kalueshme.

Por, ata apelojnë deri te komunat që të bëjnë pastrimin e rrugëve që janë në kompetencë të tyre, por edhe deri te qytetarët, këshillat banesorë dhe pronarët e objekteve afariste, që të respektojnë ligjin dhe të bëjnë pastrimin para objekteve. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)