Maqedoni

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, pensionistët do t’i “qerasë” për rekreacion në banjë

20.01.2017 16:49

Prej sot e deri më 20 shkurt, të gjithë pensionistët do të mund të bëjnë kërkesë për shfrytëzimin e njërës...

Prej sot e deri më 20 shkurt, të gjithë pensionistët do të mund të bëjnë kërkesë për shfrytëzimin e njërës nga shërbimet e dy projekteve “Rekreacion në banjë” dhe “Fundjavë turistike pa pagesë”.
 
Projekti zbatohet përmes Ministrisë së punës dhe politikës sociale, në degët e Fondit për sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë.
 
“Nëse shfrytëzuesi i pensionit shfrytëzon pension edhe nga një shtet tjetër me të cilin Maqedonia zbaton marrëveshje për sigurim social, ai në mënyrë obliguese dorëzon vërtetim nga banka për shumën e pensionit të shtetit tjetër. Nëse shfrytëzuesi i pensionit shfrytëzon kompensim në të holla për ndihmë dhe përkujdesje nga personi tjetër, shtesë për mobilitet dhe verbëri, ose shtesë për shurdhmemecë, nuk ka nevojë të dorëzojë vërtetim për shfrytëzimin e kësaj të drejte, sepse do të kryhet kontroll përmes këmbimit elektronik të të dhënave midis institucioneve”,- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
 
Ministri informoi se shërbimi “Rekreacion në banja” mund të shfrytëzohet njëherë në periudhën nga marsi deri në nëntor të këtij viti në kohëzgjatje prej 7 ditë dhe përfshin gjashtë pensione të plota, terapi, kontrolle të obligueshme dhe harxhimet për transport në lartësi të biletës kthyese të autobusit pas përfundimit të shfrytëzimit të shërbimit.
 
Shfrytëzuesit e pensionit, të cilët e kanë shfrytëzuar shërbimin në tre vitet e kaluar, nuk kanë të drejtë ta shfrytëzojnë këtë shërbim gjatë këtij viti.
 
Për këto dy projekte në buxhetin e MPPS për këtë vit janë siguruar  mjete financiare në vlerë prej 46 milion denarë.
 
Formularin e kërkesës mund ta gjeni në Fondin për sigurim pensional dhe invalidor dhe në ueb faqen e fondit.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU