Maqedoni
Kovaçevski: në ditët e ftohta shpenzimi i energjisë u rrit për 17%
20.01.2017 17:00
Për shkak të temperaturave tejet të ulëta, këtyre ditëve qytetarët kanë shpenzuar 17% më shumë energji elektrike...

Për shkak të temperaturave tejet të ulëta, këtyre ditëve qytetarët kanë shpenzuar 17% më shumë energji elektrike se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Këtë e bën të ditur zëdhënësi i kompanisë EVN, Atanas Kovaçevski, sipas të cilit në këtë periudhë janë harxhuar 482 mijë megavat orë të energjisë elektrike.
“Nga 1 deri më 19 janar në vend është shpenzuar afërsisht 482 mijë megavat në orë të energjisë elektrike. Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, në periudhën e njëjtë janë harxhuar 413 mijë megavat, që do të thotë plot 17% më shumë është rritur shpenzimi i energjisë elektrike”,- deklaroi Atanas Kovacevski nga EVN.
Kovaçevski sqaron se në netët më të ftohta shpenzimet e energjisë elektrike arrinin edhe deri në 35% më shumë se sa në vitin e kaluar.
Ai njëherit theksoi se Kompania EVN ka kapacitet të furnizojë të gjithë territorin me energji elektrike dhe se rrjeti i distribuimit për energji elektrike është stabil.
Ai pranon se ka pasur raste të ndërprerjes së energjisë elektrike, por ato kanë qenë të zakonshme për periudhën e dimrit dhe ekipet e EVN-së i kanë sanuar në kohë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
