Maqedoni

Gostivar, Kulla e Sahatit do të tregojë orën e saktë

20.01.2017 17:14

Në mënyrë solemne u përmbyll projekti për rregullimin dhe funksionimin e orëve të Kullës së Sahatit në Gostivar...

Ky projekt u realizua nga Instituti Nacional “Qendra Konservuese” në Gostivar, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës. Sahat Kulla llogaritet si simbol i qytetit të Gostivarit, theksoi kryetari i komunës, Nevzat Bejta.
 
“Sot është një ditë e veçantë për qytetarët e Gostivarit. Vihen në përdorim orët në katër anët e Sahat Kullës. Ministria e Kulturës ka realizuar shumë projekte dhe katër nga ato në Sahat Kullën e qytetit. Është simbol i vjetër i qytetit të Gostivarit dhe ne si Komunë bashkë me Myftininë e Gostivarit po bëjmë çmos që të ruajmë vlerat dhe kulturën islame në Gostivar”,- u shpreh kryetari, Nevzat Bejta.
 
Ministria e Kulturës në vazhdimësi merret me Gostivarin, sepse ky qytet në vete posedon shumë objektet kulturore, theksoi Shehapi.
 
“Ky projekt ka kushtuar 520 mijë denarë. Ministria e Kulturës në kuadër të programit për vitin 2016 e realizoi dhe ndau mjetet për këtë projekt”,- tha sekretari në Ministrinë e Kulturës, Bexhihudin Shehapi.
 
Realizimi i këtij projekti u vlerësua edhe nga Qendra konservuese në Gostivar dhe Myftinia e Gostivarit.
 
“Çdoherë e tregon orën e saktë lokale dhe automatikisht do të bëhet ndërrimi i orës dy herë në vit. Edhe po qe se do të ketë ndërprerje të rrymës elektrike, ora automatikisht do të aktivizohet”-, theksoi Adnan Fejzullai nga Qendrës konservuese në Gostivar.
 
“Sahat Kulla e Gostivarit paraqet një nga monumentet më të bukura të kulturës islame dhe lirisht mund të thuhet se është edhe simboli i qytetit të Gostivarit”,- deklaroi myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu.
 
Njëherit, kryetari Bejta paralajmëroi se komuna e Gostivarit shumë shpejt do të realizojë projektin për vendosjen e shtatë orëve në pjesë të ndryshme të qytetit.
 
LULZIM HAZIRI