Maqedoni
Bisedimet për qeverinë e re, pas takimeve, partitë reflektojnë brenda organeve
20.01.2017 17:39
Pas takimit të mandatarit Gruevski me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe takimit të një dite më parë mes Ahmetit...

Pas takimit të mandatarit Gruevski me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe takimit të një dite më parë mes Ahmetit dhe pretendentit të dytë për mandar, Zoran Zaev, e premtja është shfrytëzuar për analiza brenda partive.
VMRO-DPMNE-ja në seancën e djeshme të Komitetit Ekzekutiv ka analizuar zhvillimet politike ditore, përfshi edhe bisedimet për formimin e Qeverisë dhe ka rikonfirmuar mbështetjen për Nikolla Gruevskin që të vazhdojë me aktivitetet për formimin e qeverisë së re.
Edhe BDI ka vazhduar diskutime brenda partisë.
Ndërkohë, LSDM përmes një kumtese ripërsërit qëndrimin e saj se vullneti i shumicës së qytetarëve në zgjedhje duhet të shndërrohet në institucione.
“Mbi 612 mijë votues zgjodhën ndryshimin, drejtësinë, mbështetjen ndaj PPS-në dhe jetën dhe u deklaruan kundër regjimit, krimit dhe politikanëve si Nikolla Gruevski, të cilët i vendosën mbi 500 mijë qytetarë nën pragun e varfërisë dhe e çojnë Maqedoninë drejt izolimit ndërkombëtar”- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Mirëpo as pas takimeve fillestare në nivel më të lartë, palët nuk njoftuan opinionin nëse kanë lëvizur nga qëndrimet fillestare.
BDI ka kushtëzuar fillimin e negociatave me përdorimin e gjuhës shqipe në mbarë republikën, me mbështetjen e PPS-së dhe me eurointegrimin e vendit.
Dy të parat VMRO i kundërshtoi që në fillim, duke shtuar se nuk është për qeveri me çdo çmim.
Ndërkaq, LSDM ende nuk është deklaruar në formë të prerë rreth tre kushteve të BDI-së dhe platformës.
Mirëpo dihet se LSDM gjatë fushatës zgjedhore ka mbështetur PPS-në, eurointegrimin e vendit, por edhe dygjuhësinë.
SHPËTIM NUREDINI
