Botë
Protesta në mbarë botën kundër Trump
21.01.2017 16:35
Shprehja më e qartë e asaj çfarë mendojnë meksikanët për presidencën “Trump”, ishte një mur me kuti kartoni përpara ambasadës amerikane në Mexico City...

Ngritja e murit në kufi me Meksikën ishte një prej zotimeve më të forta të fushatës së biznesmenit republikan, e tani që ai u vendos në krye të Shtëpisë së Bardhë, frika se ky premtim do të bëhet realitet nuk i lë më vend shpresës.
“Ne jemi kundër ndërtimit të murit dhe do të nisim marshimet sepse qeveria meksikane nuk u është përgjigjur kërcënimeve të Donald Trumpit, ashtu siç do të donin qytetarët e këtij vendi. Trump thotë se meksikanët do të paguajnë për ndërtimin e murit, meksikanët i përgjigjen se nuk e kanë ndërmend aspak një gjë të tillë”.
Ndasitë politike në Amerikë u shfaqën dhunshëm rrugëve të Uashingtonit gjatë ceremonisë së betimit të Trumpit, ku aktivistët vunë zjarre, thyen vitrina e u përleshen me policinë. 217 vetë përfunduan në pranga e të paktën 6 efektivë raportohet të kenë mbetur të plagosur.
Grupet e demonstruesve u shpërndanë nëpër qytet ku kanë përsëritur slogane kunder miliarderit të kthyer në politikan. Një pjesë e njerëzve mbanin pankarta ku shkruhej: “Trumpi nuk është President” dhe “Bëjini racistët të kenë frikë përsëri”.
Protesta ndaj Presidentit të porsazgjedhur amerikan pati edhe në Argjentinë, ku Trumpin e përshkruajne si “kandidat të luftës imperialiste”. Disa nga protestuesit në Spanjë thanë se u vjen turp prej tij edhe pse nuk është presidenti i tyre. Gjatë kohës kur Trump bënte betimin, në Bruksel ndizeshin qirinj për të drejtat e grave.
Tubuesit mbushën rrugët edhe në Lima të Perusë, ndërsa në mbarë Australinë u organizuan marshime të grave me mesazhin se nuk do të heshtin përballë fanatizmit, mizogjinise dhe racizmit.
REJHANE BUSHI METAJ
