Botë

Prishtinë, protestë në mbështetje të Haradinajt

21.01.2017 17:24

Në Prishtinë u zhvillua protesta gjithëpopullore e organizuar nga Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...

Në Prishtinë u zhvillua protesta gjithëpopullore e organizuar nga Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mbështetje të Ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. 
 
Thirrjes për protestë i janë bashkangjitur edhe një numër i madh i qytetarëve, të cilët kërkuan lirimin e pakusht të kreut të AAK-së, Haradinaj.
 
Përpara qytetarëve mbajti një fjalim edhe kreu i NISMA-s Fatmir Limaj, i cili e konsideroi të padrejtë arrestimin e ish-Kryeministrit të Kosovës. Ai shtoi se Haradinaj është një nga personat që ka dhënë kontribut të madh në themelimin e shtetit të pavarur.
 
Lideri i NISMA-s theksoi ndër të tjera se ndalimi i Haradinajt në Francë ishte një tjetër shenjë se dialogu me Serbinë duhet të ndërpritet. Në mbyllje, Limaj deklaroi se lideri i AAK-së Haradinaj ka qënë kurdoherë i gatshëm për t’u përballur me drejtësinë dhe se edhe ky episod do të mbyllet në favor të tij.
 
Në të njëjtën linjë qëndroi edhe analisti kosovar Dardan Islami, i cili u shpreh se është koha që komandanti të kthehet në atdhe. Ai nënvizoi se Haradinaj është i pafajshëm dhe se ndalimi I tij është I padrejtë. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u arrestua nga autoritetet franceze në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 për krime ndaj civilëve serbë.
 
Gjykata në qytetin Colmar të Francës ka shqiptuar masën e lirimin me kusht derisa Serbia ta bëjë kërkesën zyrtare të ekstradimit. Më 4 janar, në aeroportin e Baselit, në zonën franceze të Moulhouse, Haradinaj u arrestua nga autoritetet franceze dhe qëndroi një javë në paraburgim. Ai tashmë gjendet në Strasburg, ku po pret vendimin e gjykatës.