Maqedoni
Interesim i dobët për leximin e gazetave
11.05.2014 18:16
Dikur nuk mund të mendoje të nisje ditën pa shfletuar gazetat ditore...

Dikur nuk mund të mendoje të nisje ditën pa shfletuar gazetat ditore. Gjithandej vërenim kalimtare që e mbanin atë nën sqetull dhe nuk mund të pinin kafen e mëngjesit pa qenë nën shoqërinë e shtypit ditor. Sot ndjejmë nostalgji për këtë kohë, sytë tanë arrijnë të fokusojnë shumë pak kalimtar të cilët mbajnë në duar gazetë.
Te kioskat ku shitet shtypi ditor edhe pse ka kaluar pjesa dërmuese e ditës, numri i gazetave është po ai i mëngjesit. Shitësit të revoltuar nuk duan të prononcohen, ata me keqardhje thonë se interesi për t’i blerë është i vogël. Edhe qytetarët e anketuar pohojnë të njëjtën.
”Mendoj se përcillet më shumë me anë të internetit shtypi edhe pse kjo është një mangësi, shtypi detyrimisht duhet të përcillet, sepse fjala e shkruar përveç që lexohet edhe preket, unë i blej, por jo si më parë, pasi tash interneti e ka zëvendësuar”, u shpreh një qytetarë shqiptar.
”Dobët blej nuk i besoj askujt”, tha një qytetarë maqedonas.
“Nuk besojnë njerëzit dhe për atë arsye nuk i blejnë gazetat, nuk kanë besim në gazeta, unë blej, por rrallë, nuk blej çdo ditë, gazetat që i blinin më parë ishin të përditshme”, theksoi një qytetarë tjetër.
Pa kërkuar fajtorin shpresojmë se një ditë të afërt të kthehen kohët e kaluara, duke mos u arsyetuar se informatat më të freskëta i marrim përmes teknologjisë.
Por, mos të harrojmë se Evropa është shumë para nesh në këtë drejtim, por sërish gazeta vazhdon të ketë peshën e merituar.
RINA TURKESHI SAHITI
