Tornado në ShBA, 11 të vdekur dhe 23 të lënduar

23.01.2017 12:17

11 persona kanë humbur jetën dhe 23 të tjerë kanë mbetur të plagosur....

11 persona kanë humbur jetën dhe 23 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e motit të keq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Situata më e rëndë paraqitet në Georgia, aty ku edhe është shënuar numri më i madh i viktimave. Autoritetet thonë se tornado ka përfshirë shtëpitë levizëse në jug të vendit.

Moti i rënduar ka shkaktuar vdekjen e 11 personave në Georgia të ShBA-së, ndërsa 23 të tjerë kanë mbetur të lënduar. Agjencia e menaxhimit të emergjencave deklaroi se viktimat ishin nga zonat e jugut të kontesë Cook, Brooks dhe Berrien.

Shtatë prej tyre jetonin në rulot gjatë kohës kur tornado goditi zonën e Cook. Autoritetet njoftuan se një pjesë e madhe e rulotëve janë shkatërruar në afërsi të qytetit të Abelit, ndërkohë që skuadrat e emergjencës janë ende në kërkim të të mbijetuarve të tjerë.

Në krahinën e Brooksit autoritetet informuan se dy persona humbën jetën për shkak se një tornado goditi rulotin ku ata po qëndronin, duke e dërguar mbi 150 metra në mes të autostradës.

Zona të ndryshme në jugun e ShBA-së janë përfshirë nga stuhitë e forta gjatë gjithë fundjavës.

Në jug të Missisipit, katër persona humbën jetën, pasi një tornado me një shpejtësi prej 218 km/h goditi këtë krahinë. Reshje të dendura kanë rënë në qytetin e Charlote, ndërsa stuhitë kanë vijuar në veri-perëndim të Floridas.

Autoritetet i kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në bodrume dhe të shmangin dritaret dhe dyert. Njëkohësisht kërkohet nga ana e banorëve të kenë shumë kujdes nga përmbytjet.