Trump ende pa kabinet, nominimet marrin kritika, pritet vettingu

23.01.2017 14:00

Ndonëse kanë kaluar disa ditë që nga dita e inaugurimit të Trumpit....

Ndonëse kanë kaluar disa ditë që nga dita e inaugurimit të Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan nuk ka ende një kabinet qeverisës për shkak të vonesave në procesin e vettingut që zhvillohet në Senat.

Deri më tani, pjesë e administratës janë zyrtarisht Xhejms Mattis, i cili do të drejtojë Departamentin e Mbrojtjes, si dhe John Kelly, i cili do të angazhohet në drejtimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Këta zyrtarë morën aprovimin e Senatit të premten që lamë pas me shumicë të theksuar votash si dhe kryen betimin përpara zëvendëspresidentit, Mike Pense. Megjithatë, ende nuk dihet se kur mund të përfundojë procesi për 13 të nominuarit e tjerë nga presidenti, Donald Trump.

Republikanët kishin kërkuar që ditën e premte të votohej për të paktën shtatë anëtarë të kabinetit, me qëllim që administrata të niste sa më parë punën. Megjithatë, thirrja e tyre nuk është marrë parasysh nga demokratët. Këta të fundit janë shprehur se disa prej nominimeve të Trumpit mbartin shumë pikëpyetje dhe se senatorët kanë nevojë për kohë përpara se të aprovojnë persona që do të mbajnë detyra ekzekutive për katër vitet e ardhshme.

Përgjatë kësaj jave, Senati do të mblidhet sërish për të shqyrtuar e më pas votuar disa anëtarë të tjerë. Deri më tani, demokratët kanë vënë në pikëpyetje disa nominime, siç është Rex Tillerson, i cili është projektuar për të marrë postin e sekretarit të Shtetit.

64-vjeçari njihet për marrëdhëniet e tij të ngushta me presidentin, Vladimir Putin, gjë që shihet me skepticizëm nga një pjesë e konsiderueshme e senatorëve. Ndërkohë, një tjetër nominim i kritikuar është ai Jeff Sessions, të cilin Trump dëshiron ta emërojë si prokuror të përgjithshëm.

Sessions ka pasur disa episode të papëlqyeshme në të shkuarën e tij, teksa akuzohet si racist për shkak të një sërë deklaratave të bëra ndaj personave me ngjyrë. (Gazmend Kurtishi, TVM2)