Maqedoni

Instituti i Shëndetit Publik: Ulet për 32.2 numri i të prekurve nga gripi

23.01.2017 15:15

Gjatë javës së dytë të këtij muaji janë regjistruar 5472 raste të reja të virusit të gripit...

Gjatë javës së dytë të këtij muaji janë regjistruar 5472 raste të reja të virusit të gripit, që shënon një rënie prej 32.2 për qind në krahasim me javën e kaluar ku ky numër ishte 8067.
 
Gjithsesi, ky numër tregon se ende kemi aktivitet të lartë të këtij virusi, bëri të ditur Largime Jusufi-Ballazhi nga Instituti i Shëndetit Publik.
 
“Rastet më të mëdha të raportuar janë nga qendrat e shëndetit publik në Shkup me 924, ndërsa mbi 500 raste janë të raportuara nga qendrat e shëndetit publik në Manastir, në Prilep dhe në Kavadar, ndërsa sa i përket grupmoshave, kemi një përqindje prej 72 nga grupmoshat 15 deri në 64 vjeç… Sa i përket vaksinimit, fillon vaksinimi në javën e 43 dhe gjatë kësaj sezone deri në javën e dytë janë vaksinuar 26 mijë e 665 persona, d.m.th. 99.9 për qind të dozave të siguruara janë harxhuar”,- deklaroi Largime Jusufi-Ballazhi nga Instituti i Shëndetit Publik.
 
Mjekët rekomandojnë që për t’u mbrojtur nga rreziku i prekjes nga gripi të kemi kujdes të shtuar të higjienës personale dhe shmangien e ambienteve me shumë njerëz. Po ashtu fëmijët e prekur nga gripi nuk duhet të shkojnë në shkollë.
 
“Larja sa më e shpeshtë e duarve, përdorimi i maskave duhet të bëhet një shprehi dhe njëkohësisht personat që kanë simptoma të gripit të mos qëndrojnë në ambient ku ka më shumë njerëz, sidomos kur janë prezente gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike dhe imunitet të komprimituar, ndërsa personat të cilët kanë simptoma më të komplikuara të kërkojnë ndihmë, gjegjësisht kujdes intensiv”,- tha Largime Jusufi-Ballazhi nga Instituti i Shëndetit Publik.
 
Në linjën telefonike: 02/15 123 "Alo doktor" në javën e fundit ka pasur 1.543 thirrje. Thirrjet më të shpeshta kanë qenë për pengesa në rrugët respiratore, temperaturë e rritur e trupit, viroza sezonale, ftohje dhe kollitje. Nga 15 shtatori i vitit 2014 kur filloi të punojë linja telefonike, deri tani ka pasur 134.982 thirrje. Njëzet e pesë mjekë janë të qasshëm për këshilla mjekësore në këtë linjë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI