Maqedoni
Milloshovski: Në bisedimet VMRO-BDI, parim i përbashkët qeverinë ta formojnë fituesit
23.01.2017 16:15
Vazhdojnë bisedimet mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re...

Antonio Milloshovski nga partia e mandatarit, Nikolla Gruevski, thotë se bisedimet po zhvillohen mes liderëve të dy partive, megjithëse nuk e përjashtoi mundësinë edhe për kontakte tjera ndërpartiake.
Aktualisht edhe BDI edhe VMRO mbeten në qëndrimet e tyre, ndërsa parim i përbashkët është se koalicioni të formohet në përputhje me vullnetin zgjedhor të qytetarëve.
“Për momentin ka një parim të përbashkët që ka përkrahje nga dy partitë, ai është parimi që koalicioni të formohet në përputhje me vullnetin zgjedhor të votuesve, të partitë që kanë marrë besim më të madh te përkrahësit e tyre. Ky emërtues më i vogël i përbashkët mendoj se mund të jetë rrethanë lehtësuese në rrjedhën e bisedimeve, që kuptohet se nuk janë të lehta për shkak të pozitave të kundërta”,- deklaroi Antoio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
“Për rëndësinë e parimit fituesi të formojë qeveri me fituesin”,- u prononcua ditë më parë edhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, i cili megjithatë theksoi se BDI ka në tavolinë pesë opsione.
Sa u përket pozitave që shihen si pengesë për formimin e qeverisë së re mes këtyre dy partive janë zyrtarizimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e vendit dhe vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale, në çka insiston BDI, e që tani për tani janë të papranueshme për VMRO-DPMNE-në.
BELINDA KOKA-ADEMI
