Maqedoni

Bashkëpunimi ndërkufitar Maqedoni-Greqi, deri tani janë realizuar 57 projekte

23.01.2017 16:38

Gjatë periudhës 2007-2013, mes Maqedonisë dhe Greqisë janë realizuar gjithsej 57 projekte për bashkëpunim ndërkufitar...

Gjatë periudhës 2007-2013, mes Maqedonisë dhe Greqisë janë realizuar gjithsej 57 projekte për bashkëpunim ndërkufitar me vlerë të përgjithshme prej mbi 11 milion eurosh.
 
Kjo u tha në prezantimin e rezultateve të programit IPA për bashkëpunim tejkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. 
 
“Duke pasur parasysh mjetet financiare të realizuara deri më tani, mbi 82% të fondeve të akorduara, si dhe rezultatet e suksesshme, flasin se bashkëpunimi ndërkufitar me Greqinë premton bashkëpunim të suksesshëm dhe rezultate të mira edhe në periudhën e dytë programore”,- deklaroi ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shiret Elezi.                                                  
 
Bashkëpunimi tejkufitar garanton stabilitet politik dhe prosperitet të tërë rajonit si dhe përforcon marrëdhëniet fqinjësore, tha shefi i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, dhe përfaqësuesi i trupit udhëheqës nga Greqia, Aleksabdros Samaras.  
 
“Bashkëpunimi tejkufitar përforcon marrëdhëniet fqinjësore. Ky partneritet vazhdon edhe më tej me programin IPA2 për periudhën 2014-2020. Sfidat me të cilat përballen njerëzit nuk janë të kufizuara me kufijtë, ndërsa programet për bashkëpunim tejkufitar është një nga mënyrat për të tejkaluar ato probleme”,- theksoi shefi i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar.
 
“Projektet konkrete që janë të bazuara në partneritetin e fuqishëm janë thelbësore për të arritur qëllimet për zhvillim rajonal dhe lokal, rritje të atraktivitetit dhe konkurrueshmërisë, dhe e përmirësojnë cilësinë e jetës së njerëzve”,- u shpreh përfaqësuesi i trupit udhëheqës nga Greqia, Aleksandros Samaras.                                                         
 
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale menaxhon me zbatimin e programeve për bashkëpunim tejkufitar me të gjitha shtetet fqinje në kuadër të të cilave nga ana e BE-së janë vënë në disponim 100 milionë euro të tjera. Për programin IPA2 me Greqinë janë në dispozicion 40 milion euro.
 
ERSAN PAJAZITI