Maqedoni
Nxënësit kthehen në bankat shkollore, shkollat kanë probleme me ngrohjen qendrore
23.01.2017 17:22
Pas pushimit dimëror, rreth 270 mijë nxënës, prej të cilëve 188 mijë filloristë dhe 80 mijë të shkollave të mesme iu kthyen bankave shkollore...

Ata filluan gjysmëvjetorin e dytë me dëshirën për më shumë sukses dhe dituri.
“Po, e kemi pritur me shumë qejf dhe dëshirë këtë ditë, sikur edhe vitet e tjera që i kemi pritur. Shpresoj se gjatë gjithë vitit shkollor do të kalojmë mirë”,- deklaroi një nxënës.
“Më duket shumë mirë. Fillimin e gjysmëvjetorit të dytë e prita me shumë krenari dhe dëshirë, dhe shpresoj të kem sukses sa ma shumë”,- u shpreh një nxënëse.
“Në përgjithësi në gjysmëvjetorin e dytë duhet të përgatitemi mirë, të japim maksimumin, që të mund të arrijmë rezultate sa më të mira, dhe si gjithë të tjerët, edhe unë do të mundohem që të arrij sukses”,- theksoi një nxënës.
Pavarësisht kësaj, ky gjysmëvjetor nuk ishte aspak i rehatshëm për shumë nxënës të shkollave fillore në Shkup, pasi që ditën e parë të gjysmëvjetorit e filluan në klasa të ftohta. Në “Petar Zdravkovski- Penko” dhe Imri Elezi”, për shkak të defekteve në rrjetin e ngrohjes qendrore, mësimi u realizua me orar të përgjysmuar, ndërsa në shkollat fillore “Naim Frashëri dhe “Alia Avdoviq” në Studeniçan mësimi do të fillojë të enjten, pasi që do të zëvendësohen të gjitha gypat e plasura të ngrohjes.
“Mësimi filloi si gjithmonë në orën 7 të mëngjesit, por për fat të keq patëm një defekt të vogël me ngrohjen qendrore, për atë shkak në klasat e larta ndiqet mësimi me orar të shkurtuar. Një pompë e ngrohjes qendrore kishte defekt, por tani gjithçka është në rregull, defekti ishte i vogël, por na shkaktoi probleme të mëdha me ngrohjen”,- theksoi drejtori i Sh. F. “Petar Zdravkovski- Penko”, Enis Memeti.
Për dallim nga të tjerët, Shkolla Fillore “Liman Kaba” në Luboten nuk ka probleme me ngrohjen. Ata kanë naftë të mjaftueshme për të kaluar gjithë dimrin, por shpeshherë u mungon energjia elektrike me tri faza, e cila u mundëson pompave të ngrohjes të punojnë pa pengesa.
“Probleme me ngrohjen qendrore asnjëherë nuk kemi pasur, as më herët as tani, edhe pse këtë vit është më ftohtë. Probleme me ngrohjen dhe naftën nuk kemi pasur. Për momentin kemi një problem të vogël me rrymën elektrike, kemi një largpërçues të vjetër, i cili shpeshherë na le pa energji. Ne intervenojmë te EVN, ata vijnë e rregullojnë meqë pompat e ngrohjes qendrore punojnë me tri faza elektrike”,- u shpreh drejtori i Sh. F. “Liman Kaba”, Xhezmi Abduramani.
Përndryshe, pushimi dimëror këtë vit u zgjat për shkak motit të ligë dhe epidemisë së gripit. Prej të hënës e deri të premten e javës që vjen do të realizohet edhe testimi ekstern për 18.600 maturantë.
REXHEP QAMILI
