Maqedoni
Zaev: Pas mandatit, komentet për platformën shqiptare
23.01.2017 18:18
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se ka shumë për të komentuar për deklaratën e përbashkët të partive shqiptare...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se ka shumë për të komentuar për deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, por ajo është publikuar për mandatarin dhe tani atë duhet ta bëjë Nikolla Gruevski. Tani për tani nuk jam i thirrur ta komentoj një deklaratë të tillë, thotë Zaev, i cili shpreh bindjen e tij se Gruevski nuk mund të formojë qeverinë e re dhe pasi të marrë mandatin për formimin e qeverisë, ai shprehet i gatshëm të komentojë platformën e partive shqiptare.
“Kemi edhe atë shumë për të treguar në lidhje me platformën. Kemi qëndrimin tonë, ngase ata e publikojnë platformën me qëllim konkret, mandatari ta dëgjojë. Mandatari është Nikolla Gruevski. Pse ju mos ta komentoni, avokatët e mi, ose dikush tjetër, kështu edhe unë?! Nuk jam i thirrur ta komentoj unë platformën për arsye të thjeshtë: respektim të principeve dhe rregullave. Mandatari i është dhënë Nikolla Gruevskit dhe tani ai e ka mundësinë për veprim”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Këto komente Zaev i bëri para gjykatës në Shkup, ku ishte i ftuar në seancën gjyqësore për rastin “Ryshfeti”, në të cilin lideri socialdemokrat, Zaev, akuzohet për mitmarrje.
Seanca gjyqësore u ndërpre pasi pala mbrojtëse kërkoi ndërrimin e prokurorit. Pas pauzës së parë që e dha gjykatësja, Dijana Gruevska - Ilievska, në vazhdim të seancës gjyqësore, në vend të prokurorit, Vlladimir Miloshevski, për të cilin mbrojtja kërkoi që t’i merret lënda, erdhi prokurori, Zllatko Bikovski.
Mbrojtja e Zaevit kërkoi përjashtimin edhe të Bikovskit, me arsyetim se posedojnë prova se Bikovski është pjesë e një “shoqate kriminale”, e cila ka përgatitur akuzë kundër Zaevit me urdhra politike, për të cilat Prokuroria Publike Speciale tashmë zhvillon procedura hetimore. Për këto arsye, gjykatësja, Gruevska Ilievska, propozoi që gjykimi të shtyhet për më 25 janar, por mbrojtja u thirr në Ligjin për procedurë penale dhe kërkoi të paktën tetë ditë që të mund t’i përgatisë të gjitha provat e nevojshme.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
