Botë
Shqiptarët “të mbërthyer” në burgjet Britanike
23.01.2017 21:14
Sipas të përditshmes britanike “The Sunday Times”, marrëveshja për t’i dërguar tregtarët shqiptarë të drogës në shtëpi për ta shlyer...

Sipas të përditshmes britanike “The Sunday Times”, marrëveshja për t’i dërguar tregtarët shqiptarë të drogës në shtëpi për ta shlyer atje dënimin e tyre me burg, ka rezultuar në vetëm 16 prej tyre, të cilët janë zhvendosur nga burgjet e Anglisë dhe Uellsit.
Shqiptarët vuajnë dënime prej më shumë se 4 vitesh dhe mund të ishin kthyer me detyrim në bazë të një marrëveshjeje me qëllim për t’u kursyer taksapaguesve miliona paund dhe për të liruar qelitë.
Kur u nënshkrua marrëveshja, Ministria e Drejtësisë tha se do t’u kursente tatimpaguesve 25 milionë £ për më shumë se 10 vite.
Është e kuptueshme se problemet në sistemin gjyqësor shqiptar kanë penguar kthimin e shumë të burgosurve.
Në vitet 2013-14 kanë qenë rreth 200 shqiptarë në burgjet angleze. 100 prej tyre kishin të drejtën e transferimit të detyrueshëm.
Shqiptarët janë grupi i 5-të më i madh midis 9880 të burgosurve në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Keith Vaz, një anëtar i Komitetit të Drejtësisë, tha: “Numri i të burgosurve të kthyer në Shqipëri nën këtë marrëveshje është për të ardhur keq. Taksapaguesi nuk duhet të presë të paguhet për të burgosurit e huaj në këtë mënyrë.”
Në datën 30 qershor të vitit të kaluar, në burgjet britanike gjendeshin 512 shqiptarë, 1012 polakë 745 irlandezë dhe 674 rumunë.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Drejtësisë tha se ishte duke negociuar me qeverinë shqiptare “për të rritur numrin e të burgosurve shqiptarë të transferuar”./tvklan.al
