Bruksel, Thaçi e Mustafa takim me Nikoliqin dhe Vuçiqin

24.01.2017 12:38

Presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel....

Presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel në takimin e thirrur nga ndërmjetësuesja e Bashkimit Europian në dialogun ndërmjet të dyja vendeve, Federica Mogherini.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para nisjes për në Bruksel ka deklaruar se në takimin e sotëm Kosova do të kërkojë tërheqjen e fletarresteve të Serbisë për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thaçi beson se është momenti i fundit që të hapet kapitulli i fundit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, i cili do të duhej të mbyllej me njohjen reciproke.

Sipas kryeministrit, Isa Mustafa, me takimin e sotëm në Bruksel, Kosova dhe Serbia po fillojnë fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. “Presim që ky takim të jetë fillim i fazës përfundimtare të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë takim të nivelit të lartë, ku do të marrim pjesë së bashku me presidentin e Republikës, do të prezantojmë qëndrimet e institucioneve të shtetit tonë”,- ka thënë kryeministri Mustafa.

Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë para këtij takimi se në radhë të parë pret qetësimin e situatës së tensionuar. Vuçiq beson se BE do t’ia tërheq vërejtjen Prishtinës zyrtare se nuk mund të dërgojë në të ardhmen forca policore në pjesën veriore, siç ishte rasti me vendimin për ndalimin e trenit të nisur nga Beogradi për në Mitrovicë.

Por, opozita në Kosovë ka kundërshtuar ashpër vendimin e presidentit dhe kryeministrit që të marrin pjesë në vazhdimin e dialogut, përderisa Serbia po ndërmerr një varg veprimesh, që kanë si qëllim destabilizimin e Kosovës.

Mbajtja në fuqi e urdhërarresteve ndërkombëtare të Serbisë ndaj ish-udhëheqësit të UÇK-së dhe figurave politike nga Kosova, pastaj ndërtimi i murit në veri të Mitrovicës dhe nisja e trenit “provokativ” nga Beogradi për në Mitrovicë, si dhe reagimi i Kosovës se “do t’u kundërpërgjigjet këtyre provokimeve”, besohet se ishin arsyet që Brukseli kërkoi t’i ketë në një tavolinë njerëzit kryesorë të politikës nga Kosova dhe Serbia.