Astana, nisin bisedimet mes qeverisë dhe opozitës siriane

24.01.2017 12:53

Në Astana të Kazakistanit kanë nisur bisedimet ndërmjet Qeverisë siriane dhe të opozitës...

Në Astana të Kazakistanit kanë nisur bisedimet ndërmjet Qeverisë siriane dhe të opozitës me qëllim konsolidimin e armëpushimit në Siri.

Delegacionet e Qeverisë siriane dhe të opozitës kanë marrë pjesë në sesionin e së hënës, por nuk i janë adresuar njëra-tjetrës drejtpërdrejt.

Në deklaratat hyrëse, dy palët kanë interpretuar ndryshe qëllimin e armëpushimit. Kreu i delegacionit të Qeverisë, Bashar al-Jaafari, tha se armëpushimi është i nevojshëm për t’i ndarë grupet opozitare, të interesuara në “proces politik”, nga ato që lidhen me grupet terroriste si “Shteti Islamik” dhe “Al Kaida”.

Zëdhënësi i opozitës, Muhammad Alloush, tha se armëpushimi duhet të jetë hapi i parë drejt zgjidhjes politike, që do të përfshinte largimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, nga pushteti.

Bisedimet dyditëshe po ndërmjetësohen nga Rusia, Irani dhe Turqia, ndërsa po monitorohen nga ambasadori amerikan në Kazakistan dhe i dërguari i OKB-së për krizën në Siri, Staffan de Mistura.