Londër, Gjykata Supreme: vetëm Parlamenti vendos për “Brexit”
Gjykata Supreme e Britanisë ka hedhur poshtë apelin e qeverisë së kryeministres, Theresa May, për çështjen “Brexit”...

Gjykata Supreme e Britanisë ka hedhur poshtë apelin e qeverisë së kryeministres, Theresa May, për çështjen “Brexit”, teksa ka vendosur se aktivizimi i Nenit 50 të Traktatit të Lisbonës kërkon patjetër votim pro nga ana e Parlamentit britanik.
Në këtë mënyrë, ekzekutivi nuk do të ketë mundësi që të hapë negociatat e daljes nga Bashkimi Europian, në rast se diçka e tillë nuk do të mbështetet nga anëtarët e Parlamentit.
Vendimi i Gjykatës Supreme u mor me 8 vota kundër apelit të qeverisë, ndërkohë që tre anëtarë e mbështetën nismën.
Referendumi popullor i organizuar më datën 23 qershor të vitit të shkuar ka rol këshillues dhe jo detyrues për qeverinë, gjë që do të thotë se kryeministrja, Theresa May, mund të zgjedhë që të mos hapë negociatat për t’u larguar nga Bashkimi Europian.
Megjithatë, shefja e ekzekutivit e ka bërë të qartë se është e vendosur për të respektuar vullnetin e qytetarëve.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i liderit të opozitës, Xheremi Korbin, i cili pas vendimit të Gjykatës Supreme, është shprehur se Partia Laburiste nuk do të bëhet pengesë për të hapur bisedimet e daljes nga unioni.
Bashkimi Europian dhe Britania do të duhet të firmosin një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do t’u japë formë marrëdhënies që do të krijojnë palët pas procesit të largimit nga blloku. Në bazë të parashikimit, këto negociata mund të zgjasin deri në dy vite.
Marrëveshja që do të arrihet mes palëve, do të duhet gjithashtu që të ratifikohet nga Parlamenti Britanik, por edhe nga Parlamenti Europian.
GAZMEND REXHEPI
