Komiteti i jashtëm i Senatit aprovoi kandidaturën e Rex Tillerson

24.01.2017 13:41

Komiteti i marrëdhënieve me jashtë në Senatin amerikan....

Komiteti i marrëdhënieve me jashtë në Senatin amerikan e aprovoi kandidaturën e Rex Tillersonit si sekretar i jashtëm i Shteteve të Bashkuara.

Ndarja në linja partiake ishte e qartë, pasi 11 senatorët republikanë i dhanë votën e tyre të përzgjedhurit të Donald Trumpit dhe 10 demokratët votuan kundër. Votimi i plotë do të mbahet në Senatin e kontrolluar tërësisht prej republikanëve.

Po ashtu, Mike Pompeo bëri betimin si drejtor i CIA-s pas një vonese të lidhur me frikën e disa ligjvënësve se njeriu që do të drejtojë Agjencinë qendrore të Inteligjencës mund të zgjerojë nivelin e mbikëqyrjes ose të lejojë disa teknika polemizuese të marrjes në pyetje të konsideruara gjerësisht si tortura.

Pompeo u mbështet nga 66 senatorë. Votat kundër ishin 32, mes tyre edhe ajo e republikanit, Rand Paul, mbështetës i kontrolleve sa më të kufizuara të vëzhgimit.

Njëherit, një vend tjetër mjaft i rëndësishëm ishte edhe ai i presidentit Trump, i cili firmosi urdhrin ekzekutiv për tërheqjen nga partneriteti i Transpaqësorit, pakti tregtar i firmosur prej 12 vendeve, që ka qenë një nga shtyllat e politikës së Barack Obamas në Azi.

“Ajo që sapo bëmë, është lajm i jashtëzakonshëm për punëtorët amerikanë”,- tha Tramp.

Në fillimin e javës së tij të parë të plotë në zyrën ovale, Trump ndaloi gjithashtu financimin e grupeve ndërkombëtare që promovojnë abortin, ngriu punësimin e disa punonjësve federalë, u takua me krerë korporatash e paralajmëroi vendosjen e taksave doganore mbi firmat që spostojnë aktivitetin jashtë kufijve dhe fajësoi votat e paligjshme për humbjen e tij të thellë të votës popullore përballë Hillary Clintonit, por pa ofruar ndonjë provë për pretendimet e tij.