Maqedoni

Kadastra kërkesë Qeverisë: Të vazhdohet afati për elaboratet për legalizim

24.01.2017 15:15

Agjencia për kadastër të patundshmërive do të kërkojë vazhdim të afatit për legalizimin e ndërtimeve pa leje....

Nga kadastra thonë se deri në skadimin e afatit ligjor në fund të vitit të kaluar, 15 mijë qytetarë nuk kanë parashtruar në komuna elaboratet gjeodezike të domosdoshme për kompletim të dokumentacionit për legalizim të ndërtimeve pa leje.
 
Të dhënat nga ndërmarrjet gjeodete tregojnë se deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, 5.000 elaborate, edhe pse ishin përgatitur, nuk ishin ngritur nga palët. Ndërmarrjet gjeodete nuk arritën t’i përgatisin 10.000 elaboratet e tjera, sepse kërkesat për to ishin parashtruar para skadimit të afatit dhe nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme.
 
“Kadastra do ta informojë Qeverinë për gjendjen, me kërkesë për vazhdim të afatit për parashtrim të elaborateve në mënyrë që të jepet hapësirë që këto 10.000 elaborate ndërmarrjet gjeodete të mund t’i përpunojnë në mënyrë që të parashtrohen, ndërsa 5.000 elaborate qytetarët t’i parashtrojnë në komuna”,- deklaroi drejtori i kadastrës, Sllavçe Tërpeski.
 
Që nga viti 2011 kur filloi procesi i legalizimit, ndërmarrjet gjeodete kanë pranuar 240.000 kërkesa për përgatitje të elaborateve. Prej tyre 225.000 janë përpunuar dhe janë ngritur nga palët.
 
Numri i saktë i qytetarëve të cilët aspak nuk kanë parashtruar kërkesa për përpunim të elaborateve, por kanë kërkuar legalizim, do të dihet pasi që do të kryqëzohen të dhënat e ndërmarrjeve gjeodete dhe të komunave. 
 
Deri tani në kadastër janë regjistruar 170.000 objekte të legalizuara. 
 
BESIM ABDULLAI