Maqedoni

85 përdorues të mitur të drogës, nuk ka sistem për mjekim të fëmijëve dhe të rinjve

24.01.2017 15:42

Në Maqedoni nuk ekziston një statistikë e saktë se sa është numri i fëmijëve dhe të rinjve përdorues të drogës...

Por, nga Shoqata “Hobs” flasin për një shifër prej 85 të miturish që janë kontaktuar nga kjo shoqatë ndër vite. Shqetësues është fakti se më i vogli prej tyre është vetëm 8 vjeç.
 
Maqedonia nuk ka sistem për mjekimin e fëmijëve nga droga, alarmojnë nga HOBS, sipas të cilëve vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 33 fëmijë, 7 prej të cilëve përdorues të hershëm të drogave, që për ta nuk ka pasur asnjë sistem funksional mjekimi.
 
Tashmë dy vjet, Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur një  protokoll për mjekimin e fëmijëve dhe të rinjve, përdorues të drogës, por për shkak problemeve administrative për të cilat nuk ka asnjë sqarim se të cilës natyre janë, asnjë prej tyre gjatë 2016 nuk ka pranuar ndihmë mjekësore.
 
“Bëhet fjalë për një vajzë 16-vjeçare, e cila një kohë të gjatë është përdoruese e drogës. Ekipi i HOPS e ka motivuar vajzën për t’u mjekuar. Ajo qëndron në shtëpinë e përkujdesjes “25 Maji” dhe ka pranuar që të mjekohet. Që të arrijë deri te mjekimi, i duhet pajtueshmëria nga prindërit dhe vlerësimi i psikiatrit. Tashmë kemi siguruar nënshkrimin e babait të saj, por në vendin tonë nuk ka asnjë psikiatër që do të mund të jepte një vlerësim, pasi klinika psikiatrike nuk punon me fëmijët apo të rinjtë përdorues të drogave. As në Klinikën toksikologjike nuk ka psikiatër të specializuar për punë me fëmijë nën 18-vjeç. HOBS siguroi një psikiatër jashtë klinikave, por e mitura nuk u paraqit në takimin me të, pasi humbi dëshirën për t’u mjekuar nga stërzgjatja e procedurave”,- deklaroi Vllatko Dejkov nga Shoqata “Hobs”.
 
HOBS apelon deri tek Ministria e Shëndetësisë që me një afat sa më të shkurtë të finalizojë protokollin për shërimin e fëmijëve dhe të rinjve përdorues të drogës dhe sa më shpejtë t’i tejkalojë barrierat e panevojshme administrative.
 
REJHANE BUSHI-METAJ