Maqedoni

Kriza e refugjatëve, Ademi: Jemi partnerë të dëshmuar të BE-së

24.01.2017 16:07

Maqedonia është e përgatitur të bashkëpunojë me Maltën dhe me Bashkimin Europian, si partner i dëshmuar...

Maqedonia është e përgatitur të bashkëpunojë me Maltën dhe me Bashkimin Europian, si partner i dëshmuar, në luftën kundër çdo kërcënimi që mund të shfaqet në kufirin tonë apo në kufijtë e jashtme të BE-së.
 
Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi, në takimin joformal të ministrave për çështje europiane të  organizuar në kuadër të presidencës së Maltës me Këshillin e Bashkimit Europian.
 
“Theksova se roli ynë konstruktiv në mbylljen e rrugës së Ballkanit perëndimor për migrantët ilegalë është shenjë e qartë se mund të punojmë së bashku në mënyrë të koordinuar për të mirën e qytetarëve tanë dhe të qytetarëve të Bashkimit Europian. Po ashtu potencova se jemi të gatshëm dhe të aftë të realizojmë të gjitha reformat e duhura nëse na jepet mundësia”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi.
 
Ademi theksoi se procesi i zgjerimit duhet të rikthehet në agjendën e BE-së si urgjent dhe i nevojshëm, njëkohësisht institucionet e BE-së duhet t’u përcjellin mesazh të qartë dhe bindës qytetarëve të Bashkimit Europian për dobitë e shumta, direkte dhe indirekte nga procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. 
 
ERSAN PAJAZITI