Maqedoni
PPS hap dy raste të reja “Tarifa” dhe “Tanku”, keqpërdorime milionëshe
24.01.2017 16:31
“Tarifa” dhe “Tanku” janë emrat e dy proceseve të reja hetimore të ngritura nga Prokuroria Publike Speciale...

Janë gjithsej nëntë persona nën hetime, shtatë prej tyre në rastin “Tarifa”, të cilët akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë tenderimit për blerjen e softuerit për nevojat e Sh. A. ELEM-it. Të dyshuarit kanë mundësuar që kompania fituese të marrë një tender duke mos e dorëzuar dokumentacionin e plotë.
“Ekziston dyshim i fuqishëm se një pjesë e të dyshuarve në mënyrë të paligjshme kanë lejuar të harxhohen para për licencim dhe mirëmbajtje të softuerit, në kundërshtim me kushtet e Marrëveshjes për tenderim publik. Në fakt, sistemi nuk është implementuar, ndërsa personat në fjalë e kanë dëmtuar shtetin për 456.560 euro”,- thuhet në kumtesën e PPS-së.
Njëkohësisht, një nga personat e dyshuar ka qenë përgjegjës për sigurimin e “Modulit për menaxhment”, modul për të cilin nuk ka pasur nevojë të blihet, megjithatë e ka blerë nga një kompani tjetër. Më tej janë dhënë para për modulin që asnjëherë nuk e kanë vendosur në përdorim, me këtë e kanë dëmtuar shtetin me 16.800 euro. Sipas dëshmive të PPS-së, të dyshuarit kanë “siguruar” sistem i cili është dashur të implementohet deri më datën 11.02.2013 dhe nuk është implementuar.
Në rastin e dytë me emrin “Tank” janë përfshirë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga Neni 535, Alinea 5 e Kodit Penal për vepra të kryera nga shkurti i vitit 2012 deri në tetor të 2012.
“Në rastin konkret ekziston dyshim i fuqishëm që dy personat, me qëllim që t’ia plotësojnë dëshirën kryeministrit të atëhershëm për të blerë një lloj të veçantë të automjetit, i dyshuari i parë e ka nxitur të dyshuarin e dytë që të keqpërdor pozitën zyrtare gjatë furnizimit për të zgjedhur në mënyrë joligjore një operator ekomomik i cili do ta siguronte këtë automjet”,- thuhet në kumtesën e PPS-së.
Sipas PPS-së, ekziston dyshim i fuqishëm se i dyshuari i dytë edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se vepron në mënyrë joligjore gjatë tenderimit, megjithatë ka vendosur që të zgjedh kompaninë e cila e ka siguruar automjetin për 29.852.542 denarë dhe TVSh në sasi prej 5.373.458 denarë, ose rreth 572.7800 euro.
SANIJE DURAKU
