Maqedoni
Ndihmat sociale, MPPS: ripërtëritja e dokumentacionit, deri të premten
24.01.2017 16:47
Deri të premten është afati i fundit për ripërtëritjen e dokumentacionit për marrjen e ndihmës sociale...

Deri të premten është afati i fundit për ripërtëritjen e dokumentacionit për marrjen e ndihmës sociale, ndërsa 31 marsi është afati i fundit për rinovimin e dokumentacionit për marrjen e shtesës financiare për fëmijën e tretë dhe të katërt.
Pa rinovimin e dokumentacionit, asnjë shfrytëzues nuk do të mund të përfitojë të drejtën për ndihma, përkujtojnë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
“Ju bëj thirrje të gjithë shfrytëzuesve të ndihmës sociale të cilët nuk i kanë dorëzuar dokumentet e nevojshme për të ripërtëritur të drejtën e ndihmës sociale deri tani, këtë ta bëjnë deri ditën e premte në qendrat ndërkomunale sociale, se përndryshe rrezikojnë të humbin të drejtën e shfrytëzimit të së njëjtës”,- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibraimi.
Shfrytëzuesit e këtyre ndihmave thonë se tanimë e kanë të njohur procedurën e rinovimit të dokumentacionit. Ata nxituan të respektojnë afatet ligjore.
“Tani i dorëzova dokumentet e nevojshme për të vazhduar të drejtën e pensionit për fëmijën e tretë. Si gjithmonë është procedura e njëjtë dhe e rregullt, ku duhet vërtetuar se edhe këtë vit i plotësojmë kushtet për pension”,- u shpreh një qytetar.
“Erdha këtu për t’i dorëzuar dokumentet e ndihmës së përhershme financiare”,- theksoi një qytetar.
Në qendrat ndërkomunale sociale të vendit deri dje janë dorëzuar rreth 22 mijë kërkesa për ndihmë sociale. Për këtë kategori nevojitet vetëm letërnjoftim dhe deklaratë me të cilën shfrytëzuesit pajtohen t’ju përdoren të dhënat e tyre personale.
Vitin e kaluar të drejtën për shtesën fëmijërore për fëmijën e tretë e kanë shfrytëzuar 23.246, ndërsa për fëmijën e katërt 814 persona.
Për këtë kategori të ndihmës sociale dorëzohen dokumentet e njëjta si më parë.
REXHEP QAMILI
