Botë
Takimet Kosovë-Serbi, “Vetëvendosje”: qeveria mashtroi, të japë llogari
24.01.2017 17:52
Shefat e grupeve parlamentare nga tri subjektet opozitare në Kosovë kanë kërkuar që të pezullohet dialogu...

Shefat e grupeve parlamentare nga tri subjektet opozitare në Kosovë kanë kërkuar që të pezullohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Për opozitën, deri tani asnjë nga premtimet e dhëna nga qeveria për këto bisedime nuk është realizuar dhe dikush duhet të japë llogari.
“Kur pati filluar dialogu me Serbinë në vitin 2011, qeveria jonë i pati shpjeguar tri premtime të cilat do të ndodhnin pas përfundimit të dialogut me Serbinë. I pari premtim ka qenë që dialogu me Serbinë do ta sjellë njohjen e Kosovës në fund të procesit dhe kjo është në favor të Kosovës. Premtimi i dytë ka qenë se bisedimet me Serbinë do të na sjellin integrimet europiane dhe premtimi i tretë ka qenë që përmes dialogut me Beogradin do të ndodh integrimi i serbëve të Kosovës brenda Republikës së Kosovës. Unë mendoj që tri këto premtime kanë dalë mashtrime, edhe qeveria, qeveritarët duhet të japin llogari”,- deklaroi Glauk Konjufca nga “Vetëvendosje”.
Takimi në nivelin më të lartë shtetëror në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë vjen në rrethana kur Ramush Haradinaj po mbahet në Francë pas arrestimit në bazë të një urdhërarresti nga Serbia, por edhe pas provokimit me trenin ilegal nga Serbia dhe ndërtimin e murit në Mitrovicë, që u kundërshtuan ashpër në Kosovë.
GYLTENE SINANI
