Maqedoni
Mandati edhe 5 ditë në dorë të Gruevskit
24.01.2017 18:22
Mandatari, Nikolla Gruevski, ka vetëm edhe pesë ditë për të formuar qeverinë e re...

Po aq kohë i mbetet edhe BDI-së për të analizuar katër opsionet e shtruara në opinion dhe për të marrë vendim.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” deklaroi se mbisundon bindja se qeveria e re duhet të përbëhet nga dy partitë fituese, përkatësisht mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së.
Edhe kryeministri teknik, njëkohësisht edhe deputet i VMRO-së, Emil Dimitriev, tha se është logjike që qeverinë e re ta bëjnë fituesi me fituesin.
Mirëpo, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, një ditë më parë shprehu bindjen se qeverinë e re do ta kryesojë partia e tij.
Ndërkaq, kreu i Lëvizjes “Besa” është optimist se do të formohet qeveri politike. Ajo që mbetet e paqartë për momentin, sipas tij, është nëse qeverinë do ta bëjë VMRO dhe BDI, ose LSDM me BDI-në dhe partitë e tjera. Për “Besën” qeveria e zgjeruar dhe zgjedhjet e reja nuk janë opsionet e duhura.
“Unë jam optimist se partitë politike bazohen në rezultatin zgjedhor, që do të reflektojnë, dhe Maqedonia do të ketë një qeveri politike e cila do të angazhohet për rikthimin e Maqedonisë në rrugëtimin e saj euroatlantik. Cila do të jetë kombinatorika do të presim të shohim”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Në zgjedhjet e fundit, partitë maqedonase korrën rezultat të përafërt, VMRO 51 mandate, ndërsa LSDM 41, kështu që BDI me 10 mandatet e saj, është partia e cila do të përcaktojë se cili bllok do ta formojë qeverinë e re.
Nga ky pozicion, Kryesia qendrore e BDI-së e përcaktoi si të panegociueshme për mandatin e ardhshëm përdorimin e barabartë zyrtar të gjuhës shqipe, integrimin në NATO dhe në BE dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale. Kushtet e BDI-së u hodhën poshtë nga VMRO DPMNE. Për formimin e qeverisë mes dy fituesve njëra nga dy palët duhet të ndryshojë qëndrimin.
SHPËTIM NUREDINI
