Bruksel, takimi më i rëndë në dialogun Kosovë – Serbi
Takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të përfaqësuar nga presidenti Hashim Thaçi....

Takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të përfaqësuar nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe homologët e tyre nga Beogradi, Tomisllav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq, u cilësua si shumë i rëndë.
Marrëveshja e vetme serioze ishte që të vazhdohet me përpjekjet për zgjidhjen e problemeve.
“Ka qenë një takim jo i lehtë, por i nevojshëm dhe i domosdoshëm për uljen e tensioneve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por dhe për të biseduar hapat e mëtutjeshëm për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete. Thirrjeve të Serbisë për luftë ne i përgjigjemi me angazhimet për paqe dhe me proces për dialog dhe fqinjësi të mirë. Kosova gjithmonë do të veprojë si shtet sovran dhe konform ligjeve të veta, për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
"Kemi pasur një takim jashtëzakonisht të vështirë. Vështirë që mund të kujtoj ndonjë takim më të rëndë se ky. Me mbështetjen e Bashkimit Europian, kemi arritur marrëveshje të vazhdojmë takimet, një seri takimesh të tjera të dialogut në nivelin më të lartë. Bisedimet janë të domosdoshme, sepse në këtë mënyrë ruajmë njerëzit në rajon, pavarësisht a janë shqiptarë apo serbë. Paqja dhe stabiliteti janë gjërat më të rëndësishme për të gjithë popujt në Ballkan",- theksoi kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Për dallim prej Vuçiqit, presidenti Nikoliq bëri të qartë edhe njëherë se çdo serb tjetër do të shkonte në Kosovë për të luftuar, në rast se cenohet jeta e serbëve të Kosovës.
Delegacioni i Kosovës ka kërkuar që muri në Mitrovicë të rrënohet sa më parë. Në takim janë hapur shumë çështje të rëndësishme në këtë takim, ndër to edhe çështja e fletëarresteve dhe mbrojtja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ka bërë të ditur delegacioni i Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)
