Sulme terroriste në Somali, 13 viktima, mes tyre edhe gazetarë

25.01.2017 13:42

Së paku 13 persona mbetën të vdekur në kryeqytetin somalez, Mogadishu....

Së paku 13 persona mbetën të vdekur në kryeqytetin somalez, Mogadishu, ku një kamikaz u përplas me makinën e tij të ngarkuar me eksploziv në dyert e një hoteli. Ky sulm u pasua menjëherë nga një shpërthim tjetër pak minuta më vonë, ndërsa ekipet e emergjencës dhe gazetarët ishin grumbulluar në vendngjarje. Shpërthimi i dytë u kap nga kamerat e Agjencisë së lajmeve Reuters, ku shfaqen gazetarë dhe dëshmitarë okularë duke ikur me shpejtësi, derisa raportohet për një numër të lënduar të gazetarëve.

Një re e dendur pluhuri u ngrit në zonën përreth hotelit “Dayah” ku shpesh qëndrojnë politikanë. Shumë persona të lënduar u dërguan menjëherë në spital, ndërsa në mesin e viktimave raportohet për civilë dhe forca të sigurisë. Sulmi i dyfishtë u mor përsipër nga grupi terrorist “Al-Shabab”, të cilët që nga viti 2011 kontrollojnë Mogadishun dhe një pjesë të madhe të Somalisë.

Sulmet, sipas tyre, dëshirojnë të përmbysin qeverinë e mbështetur nga vendet perëndimore. Në dy vitet e fundit, një fushatë nga trupat e Bashkimit Afrikan dhe forcave somalezë ka shtyrë grupin nga fortesat kryesore urbane, por ajo mbetet aktive në bazat e zonave rurale. (Leunora Kaliqi, TVM2)