Sindikata e pavarur e policisë: Policët hanë ushqim me afat të skaduar
25.01.2017 15:03
Sindikata e pavarur e policisë alarmon se pjesëtarët e njësisë së veçantë për mbështetje, çdo ditë janë të detyruar të hanë ushqim me afat të skaduar dhe të thatë...

Nga sindikata thonë se MPB duhet t’i përmbahet rregullores për ushqim, në të cilën thuhet se pjestarëve të policisë duhet t’u jepet ushqim i freskët.
“Nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa respektim të rregullores dhe sikurse ushqehen të gjithë qytetarët me ushqim të mirë me deklarim dhe pa afat të skaduar, kështu kërkojmë edhe ne të punësuarit. MPB dhe ministri Nuhiu t’i aktivizojë të gjithë sektorët kompetentë për këtë çështje dhe të zgjidhet ky problem”,- deklaroi kryetari i SPP-së, Goce Dellçev Todev.
Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, thotë se rastin në fjalë e ka mësuar nga letra e Sindikatës. Sipas tij, rasti do të hetohet detajisht dhe nëse vërtetohet se është i vërtetë, do të merren masat e duhura.
“Është e vërtetë, unë sot kam pranuar një kërkesë nga Sindikata në fjalë dhe menjëherë kam caktuar një komision të veçantë, me detyrë për të vërtetuar gjendjen faktike. Komisioni veç më është në hapësirat e njësive në fjalë dhe pasi ata do të bëjnë raportin për gjendjen e faktit, unë do të marr masa eventuale dhe personat përgjegjës normalisht do të përgjigjen në qoftë se ka shkelje të kësaj natyre”,- theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
Nga Sindikata shpresojnë në zgjidhje të shpejtë të kësaj problematike, në të kundërtën ata do të ankohen edhe në institucione ndërkombëtare, si ai i Strasburgut.
BELINDA KOKA ADEMI
