Maqedoni

Korrupsioni, Maqedonia në vendin e 90, TI: Qeveria udhëhoqi politikë të gabuar

25.01.2017 16:02

Një raport nga Organizata joqeveritare “Transparency international” ka regjistruar përkeqësim të perceptimit të korrupsionit për Maqedoninë...

Një raport nga Organizata joqeveritare “Transparency international” ka regjistruar përkeqësim të perceptimit të korrupsionit për Maqedoninë, duke shënuar kështu rezultatin më të keq në raport me vendet e rajonit.
 
Për vitin 2016, sipas “Transparency International”, Maqedonia radhitet në vendin e 90-të me 37 pikë, ndër 176 vende të ekzaminuara që në krahasim vetëm me vitin paraprak është regjistruar rënie për 5 pozita. Nga TI fajin ua hedhin institucioneve të cilat nuk kanë kontribuar në përmirësimin e kësaj gjendje. 
 
“Qeveria e Maqedonisë, e cila vite me radhë ka udhëhequr politikë të bazuar në klientelizëm dhe interesa, jo vetëm që ka anashkaluar të gjitha paralajmërimet për eskalimin e problemit me korrupsionin, por me vendosjen e sistemit të shtetit të kapur ka pamundësuar punën e institucioneve përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit”,- deklaroi Dona Dimov nga “Transparency International”.
 
Në nivel rajonal, më poshtë se Maqedonia është vetëm Kosova, e cila ndodhet në vendin e 95-të, por në krahasim me vitin paraprak, Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë.
 
Ndërkaq, Shqipëria së bashku me Bosnje dhe Hercegovinën radhiten në vendin e 83-të, ndërsa Serbia ndodhet në vendin e 72-të, Greqia në vendin e 69-të dhe Mali i Zi në vendin 64.
 
Për vitin 2016, me indeks më të mirë të anti-korrupsionit është Danimarka dhe Zelanda e Re, të cilat kanë deri më 100 pikë. Më poshtë se ato janë: Finlanda, Suedia, Zvicra, Norvegjia dhe Singapori.
 
NAIM RAMADANI