Basketboll

San Antonio e pandalshme, thyen edhe Toronton

25.01.2017 16:23

San Antonio Spurs di të fitojë edhe pa Kawhi Leonard, Tony Parker e Pau Gasol...

Skuadra teksane diktoi ritmin edhe në një përballje të vështirë si ajo kundër Toronto Raptors ku triumfoi 108-106.
 
Në qytetin kanadez u zhvillua një betejë e vertetë sportive mes dy forcave të dyta të konferencave ku skuadra e Popovich arriti të regjistronte suksesin e pestë rresht edhe pse kjo nuk ishte një ndeshje e lehtë për ta.
 
Në krahun tjetër, Toronto e viajti shumë mungesën e DeMar DeRozan për herë të parë gjatë këtij sezoni. Çelësi i suksesit të miqve ishte grinta që treguan në parket por edhe ndeshja fantastike e LaMarcus Aldridge që e mbylli mbrëmjen me 21 pikë.
 
Një tjetër pikë kyçe e suksesit të San Antonios është edhe pankina nga ku erdhën plot 53 pikë me Patty Mills që arriti të zëvendësonte më së miri francezin Parker.
 
Kjo është disfata e katërt rresht për Toronton që tashmë është në pozita të vështira edhe pse vazhdon të ruajë pozitat në vendin e dytë të lindjes falë konkurrencës së vogeël në konferencë. Në ndeshjet e tjera, Denver Nuggets rikthehet te fitorja pas humbjes në Minesota.
 
Skuadra nga Colorado dominoi takimin përballë Utah Jazz me rezultatin 103-93 duke regjistruar një sukses të rëndësishëm në garën për një biletë në play off. Në “Pepsi Center” Denver e bëri diferencën gjatë pjesës së dytë me Jokic që regjistroi 23 pikë dhe Nelson shtoi 17 të tjera.
 
Bie sërish Los Angeles Clippers me rezultatin 121-100 në Philadelphia. Edhe pse pa Embiid, skuadra nga Pensilvania arriti të rikuperonte disavantazhin e 19 pikëve, ndërsa Blake Griffin për kalifornianët u rikthye pas dëmtimit të gjatë por nuk arriti të regjistronte më shumë se 12 pikë.  
 
Mbrëmje e hidhur edhe për Boston Celtic që u dorëzua 123-108 përballë Washington Wizards ku Beal dhe Wall realizuan në total 58 pikë. Chicago Bulls kalon testin në shtëpinë e Orlando Magic 100-92 me 21 pikë të Dwayne Eade dhe 20 të tjera nga Butler.
 
Godet në shenjë edhe Minnesota që arrin të fitojë 112-111 në fushën e Phoenix Suns. Vendimtar në këtë sukses rezultoi Wiggins me 31 pikë.