Maqedoni
Panelistët në “Argument”: Qeveri me mbështetje të gjerë, për zgjedhje të reja
25.01.2017 16:27
Maqedonisë i nevojitet Qeveri me mbështetje të gjerë, e cila do të bëjë ndryshimet prioritare ligjore për t’ia ofruar mbështetjen e duhur PPS-së...

Maqedonisë i nevojitet Qeveri me mbështetje të gjerë, e cila do të bëjë ndryshimet prioritare ligjore për t’ia ofruar mbështetjen e duhur PPS-së dhe më pas të shkohet në zgjedhje të cilat do të prodhojnë jo vetëm mandate më bindëse në Kuvend, por do të kenë qëllim të përbashkët funksionimin e ligjit.
Ky është vlerësimi i penalistëve në “Argument” në TVM 2, të cilët dyshojnë se deri në fundjavë Maqedonia do të mund të ketë një qeveri të re.
“Qeveri me mbështetje të gjerë, se qeveri me 61 – 65 mandate nuk mund të funksionojë, pavarësisht se kush do të formojë, duhet të dijë se kjo është punë e dështuar. Me 67 mandate është një qeveri që do të çojë deri në zgjedhjet e ardhshme një periudhë 5-6 muajshe, për të bërë një teren, për të adoptuar legjislativën përkatëse, për ta mbështetur realisht jo vetëm me fjalë PPS-në dhe të sjellin ligjet që i kërkojnë, dhe pastaj të shkohet në zgjedhje ku me siguri do të kemi mandate më bindëse”,- deklaroi diplomati i karrierës, Muhamed Alili.
“Mbetet që kryetari i VMRO-së dhe ai i LSDM-së të mendojnë më mirë për një stabilitet të qëndrueshëm të Maqedonisë, duke i llogaritur edhe votat e faktorizuara të partive politike shqiptare, sepse partneriteti përmes votës ka kuptimin e vet. Edhe kjo e jep kuptimin për krijimin e qeverisë së re ndoshta jo për një kohë të caktuar, por mund të jetë edhe në afat më të gjatë nëse funksionojnë mirë dhe lëshojnë politikën përmes projekteve dhe u shmangen dukurive negative të partizimit të shtetit, por të funksionojë ligji”,- theksoi eksperti për çështje të sigurisë, Nazmi Maliqi.
Profesori universitar, Bashkim Selmani, dhe magjistri, Arsim Murtezani, thonë se prioritet i qeverisë së re duhet të jetë reformimi i sistemit të drejtësisë, konkretisht gjykatat dhe prokuroria, sepse edhe faktori ndërkombëtar insiston në çlirimin e institucioneve nga ndikimet politike, por edhe dyshojnë se partitë maqedonase sërish do të keqpërdorin tolerancën e partive shqiptare.
“Nuk është problem të vazhdojë mandati i PPS-së, problem është formimi i Qeverisë speciale, ne si juristë e dimë se Prokuroria ngre aktpadi, gjykata merr vendime për shqiptimin e dënimeve. Duhet të formohet edhe gjykatë speciale, ne mund të vazhdojmë mandatin, por po s’kemi një gjykatë speciale, të paanshme, një gjykatë që do marrë vendime profesionale, mendoj se çështjet do të zvarriten”,- theksoi magjistri për çështje të sigurisë, Arsim Murtezani.
“Kam dyshimin se edhe kësaj radhe toleranca shqiptare, eventualisht nëse do të ndodh, kam shumë dilema se mund të keqpërdoret dhe do të sjellë një zemërim te qytetarët shqiptarë, nuk do të jetë lajm shumë i mirë dhe do të ketë ndryshime për të cilat kanë votuar qytetarët”,- u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.
Penalistët vlerësojnë se partitë shqiptare nuk duhet të jenë tolerante ndaj atyre maqedonase dhe të shfrytëzojnë votën e faktorizuar shqiptare.
SANIJE DURAKU
