Maqedoni
Kanceri në qafën e mitrës, rreth 100 femra vdesin në vit në Maqedoni
25.01.2017 16:56
Kanceri në qafën e mitrës mban vendin e katër nga të gjitha llojet e tumoreve, ndërsa tek femrat është në vendin e dytë pas tumorit të gjirit...

Në botë kjo sëmundje u merr jetën çdo vit 275 mijë grave, në vendin tonë shifrat flasin për 200 - 250 gra të sëmura në vit, përafërsisht gjysma e tyre vdesin si pasojë e sëmundjes. Po shtohet numri i pacientëve të reja, sidomos në viset rurale ku femrat janë edhe më të painformuara.
Mjekët apelojnë për vizita të rregullta gjinekologjike, pap teste, raport të përgjegjshëm seksual dhe vaksinim kundër viruseve HPV.
“Vaksinoni vajzat tuaja, por në kohët e sotme nëse duhet vaksinoni edhe djemtë tuaj, pasi që me vaksinimin do të zvogëlohet i ashtuquajturi imuniteti HERDOF, d.m.th. imuniteti i hershëm, nëse ka më pak te meshkujt, do të ketë më pak edhe te femrat”,- deklaroi specialisti gjinekolog akusher, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së mjekëve të Maqedonisë, Goran Dimitrov.
“Shumë persona janë të sëmurë me virusin HPV, mundet që nuk tregojnë asnjë simptomë, megjithatë nuk domethënë se nuk e bartin virusin, por përkundrazi mund të jenë bartës dhe ta bartin virusin. Mendoj se duhet të punohet në ngritjen e ndërgjegjësimit të këtij lloji të karcinomit, që popullata e re të edukohet”,- tha kryetarja e Shoqatës “Borka për çdo ditë të re", Biba Dodeva.
Shoqëria "Borka për çdo ditë të re", Shoqëria për HPV në Maqedoni dhe Shoqëria e Maqedonisë për kolposkopi cervikale dhe patologjike deri më 28 janar i bashkëngjiten aktiviteteve për shënimin e javës europiane kundër kancerit të qafës së mitrës.
Java Europiane e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës është një fushatë sensibilizuese europiane, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kësaj sëmundje te femrat.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
