Maqedoni

Deklarata e Hahn, Kociançiq: Konsensus i gjerë, jo koalicion i zgjeruar

25.01.2017 17:32

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiq, e ka quajtur keqinterpretim të mediave deklaratën e fundit të eurokomisionerit për zgjerim, Johanes Hahn...

Konsensus i gjerë për ardhmërinë e Maqedonisë nuk do të thotë kërkesë për krijimin e një koalicioni të gjerë qeveritar, por koalicion rreth qëllimeve strategjike të Republikës së Maqedonisë, që para së gjithash është integrimi në Union, ka sqaruar përmes një kumtese Kociançiq.
 
"Komisari Hahn mendoi për nevojën që të arrihet konsensus i gjerë politik dhe koalicion i gjerë në mënyrë që vendi të mundet në mënyrë efikase të përballet me sfidat e shumta. Zbatimi i prioriteteve urgjente reformuese, Marrëveshja e Përzhinës dhe zgjidhja e çështjeve dypalëshe kërkojnë përkushtim të fuqishëm të të gjitha partive politike",- theksoi zëdhënësja Kocijançiq.
 
Zëdhënësja e Eurokomisionit edhe më hollësisht e sqaroi pritjen kur bëhet fjalë për "konsensus të gjerë politik".
 
"Të gjitha partitë kryesore politike janë për agjendë reformuese për BE-në dhe dakordohen se rruga drejt BE-së është qëllim strategjik i vendit. Nëse ato punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët, ato do të kenë de fakto shumicë kushtetuese, që është me rëndësi në rrugën drejt integrimit europian",- konkludoi Kocijançiq.
 
Me këtë qëndrim, Komisioni Europian i hoqi nga vetja akuzat për tentim të përzierjes në negociatat për krijimin e koalicionit qeveritar dhe akuzimet se insiston në koalicion të gjerë qeveritar në të cilin do të përfshihen të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë.
 
Nga Brukseli, ritheksojnë se presin formimin e shpejtë të Qeverisë së re, e cila do t'i përkushtohet të gjitha çështjeve të rëndësishme për vendin me të cilat shoqëria do të nxirret shpejtë nga gjendja limbo, tek e cila çoi kriza prej dy vite e gjysmë.
 
GAZMEND KURTISHI