Maqedoni

Bisedimet për qeveri, Kotevski: Do informojmë kur të ketë momente të reja, Heshtje në BDI, LSDM: Më 29 janar, Gruevski të kthejë mandatin

25.01.2017 17:44

Asnjë moment të ri në procesin e bisedimeve mes mandatarit, Nikolla Gruevski, dhe BDI-së...

“Do informojmë kur të ketë momente të reja”,- thotë zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Ivo Kotevski. 
 
Ndërkaq Mucunski tha se mandatari Gruevski ka besimin e plotë të partisë që të zhvillojë bisedimet. Heshtje në BDI. 
 
 
“Mandatari për formimin e qeverisë, njëkohësisht edhe lider i partisë politike VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, ka mandat dhe besim të plotë të Komitetit Ekzekutiv dhe Komitetit Qendror që të negociojë në emër të partisë. Sa i takon përmbajtjes së bisedimeve, nuk do të jepja koment shtesë, kur të ketë diçka për të informuar, qendra për informim do t’i informojë mediat për atë proces”,- theksoi Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.
 
Dhe, përderisa VMRO nuk zbulon detaje rreth bisedimeve, ajo nuk përjashton mundësinë e kthimit të LSDM-së në pushtet, duke paralajmëruar se kthimi i LSDM-së do të ishte i dëmshëm për vendin.
 
“Kthimi i LSDM-së në pushtet do të thotë korrupsion, papërgjegjësi dhe avari në institucione. Kthimi i LSDM-së në pushtet do të thotë destruksion dhe kthim pas në vend të projekteve, reformave dhe prosperitetit. Ky është fakt dhe këtë nuk mund ta fsheh as “Transparensi Interneshënëll”, e cila është e afërt me “Sorosin” dhe LSDM-në”,- u shpreh Daniela Rangellova nga VMRO-DPMNE.
 
“Presim që më 29 janar, Nikolla Gruevski të kthejë mandatin dhe se LSDM është partia që do formojë qeveri në RM”, – ka deklaruar kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, pas takimit me ambasadorin shqiptar, Fatos Reka.  
 
“Është konstatuar se në zgjedhjet në Maqedoni qytetarët qëndruan pas konceptit për bashkësi përkundër konceptit për ndarje dhe se kjo është përfitim i madh për RM-në”,- thuhet në kumtesë.
 
Në ndërkohë, kryetari i LR-PDSh, Ziadin Sela, dhe kreu i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, kanë zhvilluar takim në frymën e vazhdimësisë së bashkëpunimit, respektivisht për vazhdimin e tryezës së përbashkët politike të nënshkruar nga liderët politik. Nga partia e Selës i bëjnë ftesë të gjitha partive shqiptare, për të vazhduar tryezën e përbashkët lidhur me unifikimin e kërkesave të përbashkëta të votuesve shqiptarë!
 
Përderisa subjektet politike po shfrytëzojnë në maksimum afatet kalendarike për formimin e qeverisë së re, vazhdon kriza politike dhe institucionale. Puna e Kuvendit është bllokuar që në seancën konstituive, ndërsa vendin e presin zbatimi i reformave prioritare nga raporti i KE-së dhe raporti i Pribesë, zbardhja e rasteve që burojnë nga skandali i përgjimeve të paligjshme dhe dekriminalizimi i politikës, zgjidhja e kontesteve dypalëshe dhe integrimi në NATO dhe BE.        
 
SHPËTIM NUREDINI