Kulturë
Buxheti për kulturë 2017, Shehapi: rritje në cilësi dhe sasi të projekteve shqiptare
25.01.2017 18:26
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, deklaroi rritjen e buxhetit për projekte shqiptare për 15, 43%...

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, deklaroi rritjen e buxhetit për projekte shqiptare për 15, 43% në krahasim me buxhetin e vitit paraprak.
Për projektet e interesit kombëtar nga të gjitha sferat e kulturës këtë vit janë ndarë 4,1 miliard denarë.
“Sivjet gjithsej janë miratuar 379 projekte për shqiptarët në krahasim me vitin e kaluar, ku kishim 299 projekte, mund të themi se ka një trend të evoluimit pozitiv të filluar vite më parë dhe vazhdon edhe këtë vit. Ministria e Kulturës edhe në vitin 2017 vazhdon me aktivitete të shumta që kanë për qëllim të sigurojnë zhvillim kulturor intensiv, pasurimin e ofertës kulturore në vendin tonë, ngritjen në nivel më të lartë të statusit të autorëve dhe artistëve, përmirësimin e kushteve në të cilat ata veprojnë dhe krijojnë, stimulimin e krijimtarisë, zhvillimin e barabartë të të gjitha veprimtarive të kulturës kultivimin e vlerave kulturore të të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni, promovimin më intensiv të kulturës etj”,- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
Veprimtaria botuese dhe bashkëpunimi ndërkombëtar do të jenë në rend të parë sa i përket fokusit të projekteve.
Nga gjithsej 370 publikime të publikuara këtë vit, 115 libra janë në gjuhën shqipe, që përkthyer në përqindje kap shifrën 31%, përfshirë edhe revistat dhe bibliografitë.
Intensivisht do të punohet për realizimin e projekteve nga sfera e trashëgimisë kulturore, ndërkaq u premtua edhe lëshimi në përdorim i Teatrit Shqiptar në Shkup, biblioteka dhe Teatri i Tetovës.
Në Dibër për herë të parë do të mbahet një festival i kukullave dhe festival të ri teatral në Gostivar.
Gjithsej festivale shqiptare do të kemi gjashtë, në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Dibër. Vazhdon përkrahja e manifestimeve letrare “Ditët e Naimit”, “Takimet nën rrap”, “Karvani i librit” dhe përkrahja projekteve të tjera kulturore.
ARLINDA BAFTIU
