MMJPH propozon masa për zvogëlim të ndotjes

26.01.2017 12:57

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ahmeti...

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ahmeti, i  propozon Qeverisë së Maqedonisë masa për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, që paraqet problem akut me të cilin përballen qytetarët.

Masat reale të cilat Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ia propozon qeverisë janë aplikimi i regjimit të qarkullimit çift-tek, respektivisht propozimi për ndryshim të Ligjit për siguri në qarkullim në rrugët dhe Qeveria t’i angazhojë të gjitha institucionet shtetërore dhe publike dhe t’u rekomandojë pushteteve lokale 50 për qind ta zvogëlojnë shfrytëzimin e automjeteve zyrtare.

Për këtë qëllim, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti, është takuar me përfaqësues të shoqatave civile dhe kanë diskutuar për problemet aktuale me cilësinë e ajrit dhe për propozim-masat për zvogëlim të ndotjes së ajrit.

“Qëllimi i këtij takimi ka qenë që përmes dialogut joformal me përfaqësues të organizatave joqeveritare, të cilat merren me këtë problematikë, të shqyrtohen dhe diskutohen masa konkrete, të zbatueshme, të cilat në hark të shkurtër kohor do të japin rezultate të dukshme në zvogëlim të ndotjes së ajrit”,- tha Ameti.